
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka reaguar ndaj komenteve në rrjetet sociale që e përshkruanin si të “tërbuar” gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Ai ka sqaruar se shqetësimi i tij nuk lidhet me pozicionin e tij personal në listën e PS-së për zgjedhjet e 11 Majit, por me çështje që prekin bujqësinë dhe komunitetin rural.
Braçe theksoi se përkushtimi i tij ka qenë gjithmonë në shërbim të njerëzve, duke mbështetur fshatin, bujqësinë dhe ekonominë rurale, të cilat i konsideron jetike për ekonominë e vendit. Ai shpjegoi se zemërimi i tij buron nga ndjenja e mashtrimit dhe jo nga ambiciet personale për karrierë apo pushtet.