Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në Komisionin e Ekonomisë për rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke ngritur dyshime për mënyrën se si funksionon tregu i naftës në Shqipëri.

Braçe deklaroi se ndryshimi i fundit i çmimit të naftës është bërë përmes një mesazhi të dërguar në telefon tek përgjegjësit e pikave të karburantit. Sipas tij, çmimi i naftës është ndryshuar dje rreth orës 16:00 përmes një SMS-je që u është dërguar të gjitha pikave të furnizimit.

Ai theksoi se çmimet më të larta regjistrohen në pikat e markave të njohura, ku sipas tij çmimi varion nga 198 deri në 202 lekë për litër. Sipas Braçes, prej katër vitesh kompanitë e karburanteve e kanë “sfidë personale” që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë.

Deputeti socialist tha gjithashtu se po përpiqet të mbledhë mesazhet e dërguara për të provuar se ndryshimet e çmimeve koordinohen nën ndikimin e Shoqatës së Hidrokarbureve, të cilën e akuzoi se funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve.

Sipas tij, këto mesazhe nuk dërgohen vetëm nga drejtuesit e kompanive, por në disa raste edhe nga zyrtarë të kësaj shoqate.

Braçe theksoi se problemi kryesor nuk qëndron vetëm tek tregu i pakicës, por tek mënyra se si funksionon tregu i shumicës. Ai argumentoi se kompanitë nuk blejnë më naftë drejtpërdrejt në bursë, por përmes një ndërmjetësi – broker – që e sjell karburantin në vend dhe e depoziton në rezervat e kompanive.

Sipas deputetit socialist, ky model tregu ka eliminuar avantazhet e blerjeve afatgjata dhe ka bërë që çmimet të mos reflektojnë faktorë të rëndësishëm ekonomikë, si kursi i këmbimit apo ulja e dollarit në tregjet ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu