
Një përdorim i ri i pazakontë i “Botox”-it po jep shpresa për ushtarët ukrainas që kanë humbur gjymtyrët në luftën me Rusinë. Sipas një studimi të përbashkët midis mjekëve të Northwestern Medicine në SHBA dhe specialistëve ukrainas në Lviv, injeksionet e botulinum toxin A po tregojnë efekte pozitive në lehtësimin e dhimbjeve të ashtuquajtura “fantazmë” pas amputimeve.
Dr. Roman Smolynets, anestezist dhe specialist në kujdes intensiv në Spitalin Multidisiplinar të Lvivit, shpjegoi se trajtimi mund të jetë “një mjet i fuqishëm afatshkurtër për të ulur dhimbjen pas amputimit, kur përdoret së bashku me kujdesin mjekësor dhe kirurgjikal”. Ai shtoi se rezultatet “mund të ndihmojnë amputet të jetojnë me më pak dhimbje dhe me më shumë dinjitet”.
Sipas studimit, 160 ushtarë dhe civilë ukrainas të amputuar u trajtuan në dy spitale në perëndim të vendit midis viteve 2022 dhe 2024. Rreth 20% e tyre morën injeksione “Botox” rreth mbaresave nervore të dhimbshme, përveç trajtimit standard mjekësor dhe fizik. Rezultatet treguan se grupi me “Botox” përjetoi një përmirësim mesatar prej 40% në dhimbjet fantazmë pas një muaji, krahasuar me vetëm 10% në grupin tjetër.
Në total, 69% e pacientëve të trajtuar me toksinën botulinike raportuan ulje të ndjeshme të dhimbjes, kundrejt 43% të grupit pa trajtimin.
Megjithatë, efektet pozitive zgjatën rreth tre muaj — koha kur zakonisht zhduken edhe efektet kozmetike të “Botox”-it. Mjekët po shpresojnë të testojnë në të ardhmen injeksione të përsëritura për përfitime më afatgjata.
Dr. Steven P. Cohen, profesor i anesteziologjisë dhe drejtues kërkimesh në Fakultetin e Mjekësisë “Feinberg” të Universitetit Northwestern, theksoi se efekti anësor i vetëm i vërejtur ishte një “dhimbje e përkohshme”.
Studimi, i botuar në revistën Archives of Physical Medicine and Rehabilitation, sugjeron se metoda mund të ndihmojë edhe në lloje të tjera të dhimbjeve nervore, si neuropatia postherpetike apo sindroma e tunelit karpal.
Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe numri i amputimeve rritet ndjeshëm, mjekët si Smolynets dhe Cohen po kërkojnë gjithashtu trajtime të reja për tronditjen cerebrale (TBI) dhe çrregullimet post-traumatike (PTSD) tek veteranët e luftës.
“Ky është vetëm fillimi,” – tha Dr. Smolynets. “Çdo përmirësim, sado i vogël, është një hap drejt një jete më të denjë për ata që kanë dhënë gjithçka në front.”