Më 27 janar, në mbarë botën u zhvilluan ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të Holokaustit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës, e cila shënon çlirimin e kampit të shfarosjes Auschwitz-Birkenau nga Ushtria e Kuqe sovjetike në vitin 1945.

Nga Roma në Berlin, nga Jeruzalemi në Amsterdam e deri në Liverpool, memoriale, muze dhe vende simbolike të historisë hebraike u mbushën me kurora lulesh, qirinj të ndezur dhe vizitorë që u bashkuan në homazhe për gjashtë milionë hebrenjtë e vrarë nga nazifashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Jeruzalem, Muzeu Memorial i Holokaustit Yad Vashem priti dhjetëra vizitorë dhe ekspozita përkujtimore, ndërsa në Berlin qytetarë të shumtë u mblodhën përpara Memorialit të Hebrenjve të vrarë të Europës. Në Britaninë e Madhe, disa nga monumentet kryesore të Liverpool-it u ndriçuan me ngjyrë vjollcë në prag të përkujtimit, si shenjë respekti për viktimat e kampeve naziste.

 

Edhe në Amsterdam, Kryeministri i Holandës mori pjesë në ceremoninë kombëtare të Ditës së Kujtesës, ndërsa në shumë qytete të tjera europiane dhe botërore u organizuan aktivitete simbolike, ekspozita fotografike dhe momente reflektimi.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 dhe përkujtohet çdo vit më 27 janar, si një thirrje globale për të mos harruar krimet e Holokaustit, për të ruajtur kujtesën historike dhe për të kundërshtuar çdo formë antisemitizmi, racizmi dhe urrejtjeje.

Përkujtimi i Auschwitz-it mbetet një apel universal që historia të mos përsëritet dhe që kujtesa të mbetet një mjet kundër harresës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu