
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu mbrojti në Kuvend vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke theksuar se bëhet fjalë për një zgjedhje strategjike që shkon përtej diplomacisë klasike dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si qeveriset rendi i ri botëror. Sipas tij, ky debat nuk ka të bëjë thjesht me politikën e jashtme, por me ndërtimin e mekanizmave realë që garantojnë stabilitet dhe paqe në një botë që po përballet me kriza të thella.
Gogu argumentoi se përballë konflikteve si Gaza dhe zonave të tjera të tensionit, deklaratat politike nuk mjaftojnë për të siguruar paqen. Ajo që mungon, tha ministri, janë mekanizmat e qartë të koordinimit, rregullat, llogaridhënia dhe një qendër përgjegjësie që të drejtojë proceset pas armëpushimeve. Në këtë kontekst, Bordi i Paqes synon të krijojë një strukturë funksionale për mbikëqyrje, mobilizim burimesh dhe stabilizim afatgjatë.
Sipas ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Shqipëria duhet të jetë pjesë e këtij mekanizmi për tri arsye kryesore: nevojën për koordinim në fazën e stabilizimit, domosdoshmërinë e llogaridhënies dhe shpejtësinë e instrumentit të ri krahasuar me mekanizmat shumëpalësh klasikë. Gogu theksoi se vendi ynë nuk merr asnjë detyrim financiar në këtë fazë dhe se aderimi forcon pozicionin e Shqipërisë si vend kandidat i Bashkimit Europian, duke e vendosur atë në tryezën ku merren vendime dhe jo jashtë saj.






