
Dëbora në juglindje ka dëmtuar pemët frutore si kumbullën, qershitë por edhe mollët. Fermerët ne Dvoran të Korçës shprehen se prodhimi i këtij viti është shkatërruar edhe pse janë munduar që me metoda tradicionale të shpëtojnë prodhimin.
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar dëme të mëdha në pemët frutore në zonat juglindore të Shqipërisë. Ndikimi më i madh është ndjerë në kulturat e kumbullës dhe qershisë, ndërsa dëme janë regjistruar edhe në mollë. Në fshatin Dvoran të Korçës, fermerët janë përballur me një situatë dramatike. Ata thonë se i gjithë prodhimi i këtij viti është shkatërruar.
Në përpjekje për të shpëtuar sado pak prodhimin, disa fermerë kanë përdorur metoda tradicionale si ndezja e zjarreve pranë plantacioneve, për të zbutur ndikimin e ngricës.
Specialistët e bujqësisë kanë konfirmuar dëmet e konsiderueshme dhe kanë njoftuar se brenda pak ditësh do të nisin inspektimet në terren për të përcaktuar shkallën e dëmtimit. Nga ana tjetër, mungesa e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme e bën të pamundur kompensimin nga shteti, sipas ligjit në fuqi. E vetmja mundësi që mbetet për fermerët është sigurimi i prodhimit përmes kompanive private./Syri