
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ish-Presidenti Bill Clinton figurojnë mes dhjetëra personazheve të njohur që i kanë shkruar Jeffrey Epsteinit për 50-vjetorin e lindjes.
Wall Street Journal raporton se këto letra ishin pjesë e një albumi të përgatitur nga Ghislaine Maxwell në vitin 2003, i cili përmbante mesazhe nga rreth 50 figura të njohura në botën e politikës, modës, biznesit dhe artit.
Sipas gazetës, “emri më i madh në album” është Bill Clinton, i cili në letrën e tij shkruante:
“Është e bukur apo jo, të kesh mbijetuar kaq gjatë, përmes viteve të të mësuarit dhe njohjes, aventurave dhe gjithashtu të kesh kureshtjen fëmijërore, dëshirën për të bërë ndryshim dhe për t’ju gjendur pranë miqve.”
Ndërkohë, Trump i kishte shkruar një letër me nënkuptime seksuale, ndërsa në një libër të tij të dhuruar për Epstein në vitin 1997, shkruante: “Jeff – Ti je më i miri! – Donald”.
Gazeta thotë se në këtë album, përfshihen letra nga:
Miliarderi Leon Black, i cili kishte shkruar një poezi me nënkuptime seksuale
Biznesmeni Les Wexner, që kishte bërë një vizatim erotik
Stilistja Vera Wang, që i propozonte Epsteinit të merrte pjesë në reality-show-n “The Bachelor”
Avokati Alan Dershowitz, shpesh i përfolur për lidhjet me Epsteinin
Jean-Luc Brunel
Nathan Myhrvold, që i premtonte foto të pazakonta nga Afrika me kafshët
Politikanët britanikë Peter Mandelson, që në letër e quante Epsteinin “shoku im më i mirë”, dhe ambasadori britanik në SHBA, janë po ashtu pjesë e kësaj liste.
Gjithashtu edhe ish-bashkëpunëtorët e Epstein nga koha në firmën Bear Stearns: Alan “Ace” Greenberg dhe James “Jimmy” Cayne.
New York Times konfirmon po të njëjtat detaje, përfshirë një foto të pa ekspozuar më parë ku shfaqet Trump me Epsteinin dhe këngëtarin James Brown, megjithëse nuk dihet vendndodhja e saktë.
Ndërkohë, Trump ka paditur Wall Street Journal, Rupert Murdoch dhe dy gazetarë të gazetës për shpifje dhe dëmtim imazhi, pas publikimit të artikujve për letrën e tij ndaj Epstein./tvklan.