
Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale së bashku me Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike zhvilluan një seancë dëgjimore të përbashkët për raportimin e veprimtarisë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2024 nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Pas prezantimit të veprimtarisë, Bogdani u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni nëse ka një qëndrim për arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan.
Nga krahu tjetër, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh në fjalën e tij se, “Republika e Prokurorëve” po kthehet në kërcënim për shtetin e së drejtës duke sfiduar të gjitha institucionet”.
Blushi theksoi se, “Prokuroret nga akuzatorë, po kthehen ne inkuizitore ndaj qytetarëve të thjeshtë e sidomos ndaj opozitës”.
Blushi shtoi se, “SPAK është në krye të inkuizicionit, me qasje represive ndaj opozitës dhe pluralizmit politik”.
“Prokurorët me kërkesat e tyre po mbushin burgjet me të pafajshëm. Madje më e rëndë është fakti se 1/3 e të paraburgosurve janë pa akuzë”, tha më tej Blushi.
Blushi tha se “po krijoni perceptimin e gabuar se Akuza jep Drejtësi, kur ne fakt drejtësinë duhet ta japë gjykata”.
Deputeti i PL foli edhe për arrestimin e avokatit Barjami në Elbasan.
“Arrestimi i një avokati është një barbarizëm institucional, që duhet të ngrinte në këmbë shtetin e së drejtës. Ju si KLP heshtët”, iu drejtua Blushi drejtueses së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Blushi gjithashtu e pyeti Bogdanin nëse ka presione nga diplomatë të caktuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK.
“Ju thatë që nuk ndiheni nën presion nga politika po sugjerime nga diplomatë të caktuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK a keni?”, iu drejtua Blushi drejtueses së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.
Mirela Bogdani, në përgjigjen e saj, mohoi që KLP të ketë ndonjë rol në ndonjë procedim penal apo ndërhyrje në dosje.
“KLP nuk ndërhyn në asnjë rast, në asnjë dosje. Ky është thelbi i reformës në drejtësi. Ne merremi vetëm me vlerësimet e indikatorëve profesionalë në një fazë të mëvonshme, jo gjatë procedimeve penale.”
Sa i përket akuzave për qasje represive të SPAK, Bogdani tha se është çështje perceptimi: “Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një qasje represive. Të gjithë jemi ndryshe, edhe binjakët identikë janë të ndryshëm. Ka njerëz më të ashpër, disa më tolerantë. Janë faktorë natyrorë, personalë, edhe biokimikë. Por kjo nuk do të thotë që ka presion institucional.”
Bogdani shtoi se KLP vëzhgon sjelljen e prokurorëve në mënyrë periodike, por nuk ka asnjë autoritet mbi vendimmarrjen brenda hetimeve konkrete.
Bogdani tha se, KLP ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit informacion më të detajuar lidhur me ngjarjen dhe më pas do të dalë me një qëndrim për rastin.
“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje sot dhe diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion dhe më pas do të qartësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehim pa pasur një informacion të plotë të mënyrës se si kanë rrjedhur ngjarjet”, tha drejtuesja e KLP.
E pyetur për zgjedhjen kreut të Byrosë Kombëtare dhe SPAK, Bogdani tregoi fazën në të cilën ndodhet procesi.
Për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli i KLP në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe komisioni i posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.
“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë urdhrin e propozimit për ta caktuar sipas ligjit. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të sjellim emrin nga SPAK dhe komisioni”, tha Bogdani.
Për drejtuesin e SPAK, Bogdani tha se në vazhdim KLP do të vazhdojë me verifikim e platformave, profilit të tyre etj.
Ndër të tjera, ajo theksoi se KLP nuk po përballet me presion nga asnjë faktor për përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme.
“Unë e përmenda pak më parë që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Për çështje sugjerimesh, nuk ka presione”, tha Bogdani./atsh