SPAK ka përfunduar hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, dhe ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Sipas burimeve, çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila do të vendosë për kalimin në proces gjyqësor.

Hetimet ndaj Shkrelit nisën pas dyshimeve se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ai kishte blerë vota në favor të Partisë Socialdemokrate (PSD), drejtuar nga Tom Doshi.

Në kuadër të hetimeve, SPAK sekuestroi telefonin e kryebashkiakut dhe disa pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur në veprimtarinë e shitblerjes së votave në qarkun e Shkodrës.

Kristian Shkreli u paraqit më 3 tetor në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku iu komunikuan akuzat për korrupsion zgjedhor.

Përveç tij, janë sekuestruar edhe aparatet celularë të disa eksponentëve të tjerë të PSD-së, të dyshuar për përfshirje në këtë rrjet të blerjes së votave.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa pritet që GJKKO të vendosë në ditët në vijim për fatet gjyqësore të Shkrelit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu