
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë kryer ditët e fundit një kontroll të plotë në Ministrinë e Financave, ku kanë sekuestruar dokumentacionin lidhur me faljen e gjobës 104 milionë euro (104 miliardë lekë) që iu hoq kompanisë “Bankers Petroleum” në vitin 2019, gjatë kohës kur ministrja Anila Denaj drejtonte institucionin.
Gjobë e vendosur pas akt-kontrolleve të viteve 2016 dhe 2017 u mbështet në prova të inspektorëve të Hetimit Doganor, të cilët konkluduan se kompania kishte refuzuar kontrollet në depot doganore, si dhe dyshohej për evazion fiskal përmes fshehjes së prodhimit dhe skemave të import-eksporteve fiktive.
Pas një sërë ankimimesh dhe proceseve gjyqësore, gjoba mbeti në fuqi si “titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u ekzekutuar kurrë. Ndërkohë, më 17 korrik 2019, nga regjistri doganor rezultoi se detyrimi ishte fshirë, pa asnjë shpjegim publik.
Hetimet zbuluan se ish-drejtori i Doganave, Arlind Gjokutaj, e kishte fshirë gjobën jo me vendim gjykate apo akt ligjor, por me një shkresë-rekomandim të ministres së Financave të asaj kohe, Anila Denaj – veprim i konsideruar në kundërshtim të plotë me ligjin.
SPAK e ka klasifikuar këtë procedurë si një skemë të mirëorganizuar të zhdukjes së një detyrimi financiar ndaj shtetit, në favor të kompanisë së akuzuar disa herë për shkelje të rënda fiskale.
Ky zhvillim ka rikthyer dosjen “Bankers” në qendër të vëmendjes, ndërsa BKH po vijon hetimet për përgjegjësitë administrative dhe penale të zyrtarëve të përfshirë.
–







