
Policia thotë se ka lënë të lirë Eqerem Braçin, ortakun e tij i cili u shoqërua bashkë me dy djemtë që prej mëngjesit të së shtunës.
Rezulton se Braçi dhe djemtë të kenë qenë personat që e shoqëruan biznesmenin për gjah. Dëshmia e tyre ka bindur policët. Biznesmeni dhe djemtë siç mëson Top Channel kanë thënë se iu është rrezikuar jeta njësoj si italianit, pasi një automjet në lëvizje ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Ministria e Jashtme e Italisë (Farnesina) ka konfirmuar se po ndjek nga afër rastin e vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, i cili u gjet i vrarë në jug të Shqipërisë.
Sarchi, 44 vjeç, me origjinë nga Cunardo (Varese), ishte pronar i një fabrike tullash në Tiranë. Trupi i tij u gjet pranë fshatit Salari, rreth 200 kilometra larg kryeqytetit shqiptar. Autoritetet shqiptare kanë njoftuar menjëherë Konsullatën e Përgjithshme të Italisë në Vlorë, e cila po ndjek rastin në bashkëpunim të ngushtë me ambasadën italiane në Tiranë dhe me Farnesinën.
Hetimet
Ngjarja ndodhi në zonën e Salari-t, pranë qytetit të Tepelenës, në jug të vendit. Që nga momenti i parë i njoftimit, ambasada italiane në Tiranë dhe konsullata në Vlorë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe familjarët e viktimës, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet për të sqaruar rrethanat e vrasjes dhe për të ofruar ndihmën e nevojshme konsullore.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.