Bisedimet mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas për një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë u mbyllën këtë fundjavë në Miami pa zhvillime konkrete, duke lënë ende pezull çështjet kyçe të garancive të sigurisë dhe territorit, sipas zyrtarëve ukrainas.

Takimet shumëditore nisën të enjten me pjesëmarrjen e emisarit special të SHBA-së Steve Witkoff, Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump – dhe përfaqësuesve ukrainas Rustem Umerov dhe Andriy Hnatov. Pas tre ditësh diskutimesh, ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olga Stefanishyna, pranoi se “çështje të vështira mbeten ende”, por theksoi se palët po vijojnë punën për zgjidhje realiste dhe të pranueshme.

“Sfida kryesore në këtë fazë lidhet me territorin dhe garancitë e sigurisë. Po kërkojmë formatet më të përshtatshme për t’i adresuar ato,” deklaroi Stefanishyna, duke shtuar se më shumë detaje do të jepen pasi të përmblidhen të gjitha informacionet.

Ukraina ka përsëritur vazhdimisht se një përfundim i drejtë i luftës duhet të përfshijë garanci të besueshme sigurie dhe nuk mund ta detyrojë vendin të dorëzojë territore të tjera ndaj Rusisë. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar publikisht se Moska synon ta marrë rajonin lindor të Donbasit “me çdo mjet”.

Bisedimet në Miami u paraprinë nga një vizitë e Kushner dhe Witkoff në Moskë, ku u takuan me Putinin. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi takimin si “shumë të mirë”, duke thënë se beson që Putin “do të donte ta shihte luftën të marrë fund”, megjithëse vizita nuk prodhoi një marrëveshje konkrete.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike “të gjatë dhe konstruktive” me Witkoff, Kushner dhe ekipin ukrainas në Miami. Sipas tij, janë diskutuar hapa të mëtejshëm dhe formate të reja negociatash, si edhe rreziku që Rusia të mos i mbajë premtimet, gjë që – sipas Zelenskyt – ka ndodhur edhe më herët.

Ndërkohë, tema e paqes dhe kushtet e saj do të diskutohet të hënën në Londër, në një takim mes Zelenskyt dhe liderëve të Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, në kuadër të ndërmjetësimit amerikan.

Në një zhvillim paralel, Kremlini ka përshëndetur strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, të publikuar të premten, e cila nuk e përshkruan më Rusinë si “kërcënim” për Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi Dmitry Peskov e cilësoi këtë ndryshim si “hap pozitiv”, duke theksuar se është në kontrast me politikat e administratave të mëparshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu