BIRN – Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se ka vendosur të apelojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e quajtur atë një ‘akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv”.

Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të pezullojë nga detyra Ballukun mbi të cilën rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë në tendera në të paktën dy raste, ndërsa hetimet mbi të vijojnë.

Vendimi e detyron atë që të mos e ushtrojë detyrën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa titujt e detyrave që mban i hiqen vetëm me shkarkim nga kryeministri ose me dorëheqje.

Po ndryshe nga ç’pritej Rama ka vendosur ta sfidojë këtë vendim të gjykatës duke e apeluar në Gjykatën Kushtetuese, që për opozitën tregon një “refleks antidemokratik” dhe të qënit bashkëpunëtor në aferat për të cilat akuzohet Balluku.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha në një konferencë për mediat të premten se “drejtësia po sfidohet hapur” dhe shënon një hap pas të vendit me demokracinë dhe shtetin ligjor.

“Në vend që të mbrojë interesat e shqiptarëve, kryeministri i vendit zyrtarisht është avokat i një të pandehur për abuzime me tenderat publikë”, tha Bardhi ndër të tjera.

Vendimi i mazhorancës socialiste për t’a çuar në Kushtetuese pezullimin e Ballukut nuk pritet të prodhojë një ndryshim të vendimit të gjykatës, i cili sipas juristëve, është i bazuar në praktikat ekzistuese dhe ligjet në fuqi.

Për juristin Jordan Daci ankimimi është një e drejtë juridike dhe vendimit të GJKKO-së i duhet ‘një test kushtetues”, duke qenë se është një precedent i zbatimit të neneve të Kodit të Procedurës Penale në nivel zyrtarësh qeveritare. Por ai i tha BIRN-it se “me praktikat ekzistuese kushtetuese ky vendim e kalon testin”.

Ai e lidh besimin e tij me rastin e kryetari të PD-së, Sali Berisha, i cili ankimoi si antikushtetues masën e sigurisë, “Detyrim paraqitje”, nga Prokuroria e Posaçme si kufizim të lirisë së deputetit, por Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë prokurorisë.

Krijimin e precedentit nga ana e Gjykatës Kushtetuese Daci e lidh me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në vlerësimin e masës së pezullimit nga detyra.

“Duke qenë se Gjykata e ka konsideruar të lejuar vendosjen e masave kufizuese edhe ndaj deputetëve, nuk ka më bazë kushtetuese për të pretenduar një standard më të lartë mbrojtjeje për ministrat ose për kryeministrin”- analizon Daci, i cili pranon se në këtë praktikë ka një problem të cënimit të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ekuilibrit kushtetues.

Ndërsa avokati Gentian Serjani e sheh vendimin GJKKO-së krejtësisht të bazuar në nenin 135 të Kushtetutës dhe të mbështetur në nenet 233 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale.

“Duke ndjekur të njëjtën logjikë, nëse z. Rama kundërshton zbatimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese, lind pyetja: në rast se GJKKO do të kishte caktuar një masë shtrënguese më të rëndë, siç është arresti me burg, a do ta kishte kundërshtuar sërish z. Rama zbatimin e vendimit duke penguar arrestimin,” pyet Serjani në një analizë për BIRN.

Sa i përket interpretimit të neneve të Kodit të Procedurës penale, ku thuhet se kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, Serjani argumenton se në këtë kategori futen deputetët dhe të zgjedhurit vendorë; kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.

“Në rastin e znj. Balluku, nuk kemi të bëjmë me një person të zgjedhur drejtpërdrejt sipas ligjit elektoral për funksionet për të cilat është dhënë masa e pezullimit. Vendimi i GJKKO-së lidhet me ushtrimin e detyrave të saj si zv/ministre dhe ministër, detyra që burojnë nga emërimi i Kryeministrit, jo nga vota e qytetarëve”, thotë ai duke shtuar se “prandaj, kjo normë nuk mund të interpretohet si mbrojtje për funksionet e saj ekzekutive”.

Pretendimin e Kryeministrit se qeveria e tij ka mbetur pa zëvendëskryeministër Serjani e konsideron të pabazuar, sepse sipas tij, “pozicionet ministrore nuk janë funksione të lidhura me një individ të pandashëm, por me këdo që Kryeministri vendos të emëroj”.

“Në këtë rast, Kryeministri thjesht duhej të caktonte një zëvendësim, duke respektuar vendimin e drejtësisë, asaj drejtësie të re të cilën z.Rama e ka vlerësuar shpesh si arritje të qeverisë së tij”, shton ai.

Kryeministri Rama pretendoi se pezullimi i një anëtari qeverie nga drejtësia ishte “një rast unikal në historinë e Europës…” , por ekspertë të politikës thonë se ky pretendim nuk qëndron dhe ç’është më e rëndësishmja ai bie në kundërshtim me frymën e drejtësisë së re.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike, solli në vëmendje disa raste të ngjashme në botë ku janë pezulluar zyrtarë të lartë me vendime gjykate, ndërsa i kujton kryeministrit se standardi europian ku kërkon të anëtarësohet Shqipëria parashikon detyrime etike, politike dhe institucionale ku zyrtarët e akuzuar për korrupsion japin dorëheqje dhe më pas përballen me drejtësinë.

“Praktika, sipas të cilës dorëheqja refuzohet, përdoret qeveria e shteti kundër prokurorit/gjykatësit dhe refuzohet zbatimi i vendimit gjyqësor, ka pasoja thelbësore në cilësinë e shtetit dhe demokracisë dhe në aspektin kushtetues, mund ta çoj në një pozitë jo kushtetuese të vetë organit vendimmarrës, kryeministrit apo qeverisë”, shkruan ai në një analizë të publikuar në Facebook.

Sipas Krasniqit, “cilido që e ka këshilluar kryeministrin ndryshe, vetëm sa ka menduar me llogarinë afatshkurtër të forcës “83 mandate” jo me logjikën kushtetuese, pasojën afatgjatë dhe konceptin e shtetit të së drejtës”.

Edhe Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre në qeverinë Rama, dhe më pas një kritike e kësaj qeverisje komentoi deklaratat e kryeministrit duke folur për “kulturë të instrumentalizimit të ligjit” nga ana e mazhorancës socialiste.

“Ky është një rast unikal, sepse është po ashtu rast unikal që një ministër edhe njëherazi zv/Kryeministër merret i pandehur dy herë për të njëjtën vepër penale edhe nuk dorëhiqet, apo shkarkohet”, ironizoi ajo deklaratën e Ramës në një postim në Facebook.

Nga ana tjetër Serjani sjell në vëmendje se reforma në drejtësi u miratua pikërisht me qëllimin që të mos ketë më zyrtar të paprekshëm dhe nëse duhet t’i qëndrojmë besnikë frymës së kësaj reforme duhet të pranojmë edhe vendime të tilla nga drejtësia e re.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu