
Gjykata e Tiranës e vlerësoi si joporpocionale ndërhyrjen ndaj gazetarëve të grupit mediatik “Focus Media” dhe urdhëroi marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e integritetit të tyre profesional përmes kthimit të sendeve të tyre personale dhe pajisjeve të punës, sipas një vendimi për sigurim padie që BIRN e disponon.
Në vlerësimin e saj, Gjykata ka vendosur një vijë të qartë ndarëse mes mosmarrëveshjeve kontraktuale mes palëve dhe respektimit të lirisë së shprehjes, duke u dhënë të drejtë gazetarëve në shqetësimet e tyre.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas një kërkese për sigurim padie nga kompanitë Focus Media Neës dhe Panorama Group në pronësinë e botuesit Irfan Hysenbelliu, të cilat kërkuan pezullimin e efekteve të ndërhyrjes së kryer nga shoqëria “KAYO” sha dhe Policia e Shtetit mëngjesin e 9 gushtit.
Gjykata nuk i ka marrë parasysh pretendimet e palëve për kontratat e qirasë, duke i konsideruar ato çështje që duhet të shqyrtohen përpara Gjykatës Administrative, por është ndalur gjatë në analizimin e pasojave që solli ndërhyrja në kufizimin e punës së gazetarëve dhe të drejtës së tyre për të dhënë informacion.
Në vendim vlerësohet se është e rëndësishme të ndahet interesi privat i shoqërive mediatike nga cënimi i gazetarëve dhe kufizimi i punës së tyre për shkak të mosmarrëveshjeve që këto shoqëri kanë me shtetin.
“Në këtë drejtim, gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me gjendjen që passolli këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë,” theksohet në vendim.
Sipas gjykatës, mosmarrëveshjet që lidhen me zbatimin e kontratave nga subjekte që ushtrojnë veprimtari mediatike duhet të zgjidhen në mënyrë të tillë, që të cenojnë sa më pak të jetë e mundur lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të dhënë informacion.
“Shteti ka të drejtë të mbrojë interesat e tij, por edhe mbrojtja e lirisë së shprehjes është gjithashtu një detyrim ndërkombëtar, i shtrirë si në drejtim vertikal ashtu edhe në drejtim horizontal,” thuhet më tej në vendim, ku theksohet se: “gazetarët do të duhej të lejoheshin që të merrnin sendet e tyre personale dhe ato të punës”.
Ndërtesat e përdorura nga “Focus Media Group” u bllokuan mëngjesin e 9 gushtit nga policia, e cila rrethoi godinën në Shkozë, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe ndaloi hyrjen e gazetarëve, duke ndërprerë transmetimin e News24 në orën 07:36.
Situata precipitoi më tej të hënën, kur kamionë të ushtrisë u filmuan teksa ngarkonin mobilje dhe pajisje nga ambientet e redaksisë, përfshirë edhe kompjutera të gazetarëve. Operacioni që solli heqjen e sinjalit të televizionit informativ News 24 dhe pengimin e punës për mediat e tjera të grupit është dënuar nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat kërkojnë shpjegime nga qeveria dhe heqjen e bllokadës ndaj mediave dhe gazetarëve.
Sipas shpjegimeve të dhëna para gjykatës, kompania shtetërore e ngritur për prodhim armatimesh, “KAYO” ka pohuar se pajisjet e marra nga godina e përdorur nga “Focus Media News” i kishte transferuar në Rezervat e Shtetit dhe se “ato mund të tërhiqeshin në çdo moment nga pronari i tyre”.
Gjykata e Tiranës udhëroi në vendim zyrën e Përmbarimit Shtetëror që brenda 24 orëve të merrte masa për identifikimin dhe inventarizimin e sendeve personale të gazetarëve dhe kthimin e tyre, qoftë dokumenteve fizike apo elektronike në kompjuterat e punës apo ato që ndodhen në Rezervat e Shtetit.
Brenda 48 orëve, Zyra e Përmbarimit Shtetëror urdhërohet që kryejë edhe identifikimin dhe inventarizimin e pajisjeve në pronësi të Focus Media News dhe sipas rastit, lënien e tyre në ruajtje apo tërheqjen nga kërkuesit./ BIRN