Dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.
Më 5 gusht, ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.
Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.
Sipas të dhënave të BAN, kjo nuk është dërgesa e parë me mbetje të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azizë. Organizata shprehet se një dërgesë me mbetje të dyshuara të ngjashme u bllokua më herët këtë vit nga Agjencia e Doganave në Fangcheng të Kinës.
Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm. Por përpara se të mbërrijnë në Durrës dhe përmbajtja e tyre të verifikohet, ato kanë prodhuar një kakofoni me akuza politike, ndërkohë që Prokuroria e Durrësit dhe Zyra kundër Mashtrimit e Komisionit Europian, OLAF, kanë inicuar hetime.
Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nga dosja hetimore tregojnë që marrësi i këtyre ngarkesave është kompania GS Minerals D.o.o e regjistruar në Rijeka të Kroacisë, gjithashtu në pronësinë e familjes Sokolaj.
Sipas drejtorit ekzektiv të BAN, Jim Puckett, dërgesa e kontenjerëve drejt një vendi që nuk është anëtar i OECD-së si Tajlanda, pa kapacitete të provuara të riciklimit të këtyre mbetjeve, ngre hije dyshimi.
“Dikush është përpjekur shumë për të fshehur gjurmët e kësaj dërgese,” i tha ai BIRN gjatë një bisede telefonike nga zyra e tij në qytetin e Seattle në shtetin e Uashingtonit në SHBA.
Kompania “Kurum International” sh.a nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikim të këtij shkrimi, por në një deklaratë të shpërndarë për mediat më 21 gusht, ajo mohoi që të kishte lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.
“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International,” deklaroi kompania, pa sqaruar nëse produkti në fjalë kishte dalë nga uzinat e saj.
Në kontradiktë me të dhënat e mbledhura nga hetimi, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave deklaroi përmes një njoftimi për shtyp se eksporti i mbetjeve nuk ka qenë eksport nga Shqipëria, por tranzit nga një kompani nga Kosova.
“Rasti i cituar nga media nuk është eksport nga Shqipëria, por një tranzit ndërkombëtar i produktit koncentrat zinku nga Kosova. Pra, produkti është koncentrat zinku me origjinë nga Kosova me firmë dërguese/eksportuese Apelbaum shpk,” thuhet në deklaratën e doganës.
Drejtuesit e kompanisë kosovare “Apfelbaum sh.p.k”, së cilës Doganat iu referuan gabimisht si “Apelbaum”, i thanë BIRN se ata qëndronin vetëm pas dërgesës drejt Kinës përmes portit të Durrësit, që sipas tyre ishte mineral zinku nga miniera e Trepçes.
“Ne nuk eksportojmë hi të metalurgjisë, por lëndë të parë mineral zinku pa asnjë problem që prej vitit 2017. Për të larë veten dhe për të tërhequr vëmendjen nga ajo që po ndodh, Dogana në Shqipëri na goditi ne,” u ankua Arten Bajrushi, drejtor i “Apfelbaum” sh.p.k.
Megjithatë, Puckett i tha BIRN se analizat e dërgesës në Kinë tregojnë që ajo përmban më shumë se 8% mbetje plumbi, ç’ka e klasifikon atë si mbetje.
Në një përgjigje për BAN, kompania A.P. Moller- Maersk theksoi se kontenjerët me oriigjinë nga Shqipëria ishin ngarkuar në Trieste, pasi ishin transferuar nga një linjë tjetër transporti.
“Asnjë nga këto kontenierë nuk është deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme,” citohet të ketë thënë kompania Maerks e transportit të kontenjerëve. “Nëse do të ishin deklaruar si mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar t’i transportonte,” shton ajo.
Kurum, prodhuesja e mbetjeve të hirit
Organizata ‘Basel Action Network’ e merr emrin nga konventa e Bazelit – e njohur zyrtarisht si “Konventa për Kontrollin e Lëvizjeve Ndërkufitare të Mbetjeve të Rrezikshme dhe Asgjësimin e Tyre,”, një traktat ndërkombëtar i miratuar më 22 mars 1989 në Bazel të Zvicrës.
Kjo konventë ka për qëllim të mbrojë shëndetin e njeriut dhe mjedisin nga efektet negative të mbetjeve të rrezikshme, sidomos nga transporti dhe asgjësimi i tyre përtej kufijve të një vendi.
Konventa e Bazelit nuk ndalon në mënyrë absolute eksportin e mbetjeve të rrezikshme nga vende si Shqipëria, e cila nuk është anëtare e BE-së apo e OECD-së, por vendos rregulla strikte për mënyrën se si këto mbetje mund të eksportohen. Shqipëria, si vend nënshkrues i Konventës së Bazelit, duhet të përmbushë disa kushte për t’i eksportuar këto mbetje.
Për të eksportuar mbetjet EAFD nga Shqipëria, nevojitet një leje paraprake nga Tajlanda si vend destinacion, si dhe vendet tranzit për të eksportuar mbetje të rrezikshme. Kjo leje duhet të përfshijë informacione mbi llojin dhe sasinë e mbetjeve, si dhe destinacionin dhe metodën e trajtimit ose asgjësimit të tyre. Eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të bëhet vetëm nëse mbetjet do të menaxhohen në mënyrë të sigurt në vendin e destinacionit, sipas standardeve mjedisore dhe shëndetësore të përshtatshme.
Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Me qindra punëtorë në bordero, ajo është gjithashtu një punëdhënës i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit.
Për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga industria, Kurum ka instaluar prej vitit 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në ish-Kombinatin Metalurgjik. Sipas deklaratave të vetmonitorimit mjedisor të kompanisë, të siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit të së drejtës për informim, ajo prodhon sërish mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut në vit.
Mbetjet nga filtrat e pastrimit të gazrave kanë sjellë kokëçarje e vazhdueshme për “Kurum”, pasi klasifikohen si mbetje substancash të rrezikshme dhe raportohen prej saj me kodin 10 02 07* sipas katalogut në fuqi të mbetjeve.
“Këto pluhura që kapen nga sistemi ambalazhohen në thasë dhe mund të eksportohen ose të përdoren në vend. Për këtë periudhë nuk është bërë evadim i kësaj mbetjeje, ato janë depozituar në sheshin përkatës dhe janë lëndë e parë për prodhimin e bojërave pasi është në % të lartë ZnO,” raportoi Kurum në qershor 2021.
Sasia totale e këtyre mbetjeve të prodhuara për më shumë se një dekadë nga Kurum dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.
Një pjesë e këtyre mbetje riciklohen prej vitit 2022 nga një kompani tjetër shqiptaro-kineze me qendër në kombinatin Metalurgjik në Bradashesh, e quajtur “Alliance Resources”. Por “Alliance Resources” ka kapacitete për të përpunuar vetëm një sasi të vogël nga mbetjet e stërmëdha të prodhuara nga Kurum.
“Ne marrim nga Kurum oksid zinku dhe e përpunojmë në linjën tonë, ku nga 20-25 për qind e çojmë deri në 55-60%, që lejohet më pas të tregtohet lirisht në BE dhe në vende të tjera,” i tha BIRN Erdest Nushi, ish-administrator dhe punonjës i kompanisë “Alliance Resource”.
“Kapacitetet tona janë të kufizuara dhe në 9 muaj mund të përpunojmë rreth 2500 ton. Kurum prodhon sasi shumë më të mëdha,” shtoi ai.
Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga Kurum dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023.
Gjovana Sokolaj dëshmoi në polici se produkti me të cilin janë mbushur 102 kontenierët, që ajo e konsideron si oksid hekuri, është blerë nga kompania “Kurum” për një vlerë totale prej 41 mijë dollarësh. Më pas, Sokolaj ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Por thuajse një muaj më pas, Sokolaj dëshmon se mori një njoftim shqetësues nga kompania e kontenjerëve.
“…më informon se 102 kontejnerët që kompania ime kishte nisur do të kthehen në portin e Durrësit, sepse porti i Singaporit nuk pranon të bëjë shkarkimin, pasi kanë dyshime se janë mbushur me lëndë toksike,” ka deklaruar Sokolaj.
“Unë i kam kthyer email dhe i kam thënë që për mallin e ngarkuar në kontenjerë, që është oksid hekuri, janë bërë analizat nga Sokolaj sh.p.k dhe Kurum sh.a dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike,” ka pretenduar ajo.
Të dhënat publike të shqyrtuara nga BIRN tregojnë gjithsesi se kompania e Sokolajt në Kroaci, GS Minerals D.o.o reklamon haptasi në internet tregtinë e saj me mbetje të rrezikshme EAFD si dhe okside të zinkut.
Në njërën prej reklamave, kompania thotë se ka të gatshëm në portin e Durrësit koncentrate zinku të gradës së ulët si dhe zotëron për shitje pluhur hiri EAFD.
Përkrah njoftimit për pluhurin që përmban mbetje të rrezikshme, ajo ka postuar një foto të dhjetra thasëve të mbushur – një pjesë e të cilëve të lagur nga shiu dhe një pjesë të grisur dhe me pluhurin e shpërndarë jashtë tyre, vendndodhja e së cilëve nuk u arrit të verifikohej nga BIRN.
Gjovana Sokolaj nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
‘Big bags”
Të enjten më 15 gusht, puna në terminalin e mineraleve në portin e Durrësit vazhdonte normalisht, ndërsa një fadromë e rëndë zhvendoste pirgje me krom të depozituara prej vitesh dhe që presin të eksportohen.
Një agjent detar në portin e Durrësit, i cili kishte dijeni mbi eksportet e mineraleve, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se mbetje të zinkut të dala nga kompania “Kurum” ishin eksportuar për riciklim drejt Turqisë në periudhën para pandemisë së Covid 19.
Agjenti shpjegoi se këto mbetje depozitoheshin në terminalin e mineraleve në kalatën lindore të portit të Durrësit dhe pasi ngarkoheshin në thasë të mëdhenj të bardhë, të njohur si ‘big bags’ nga një kompani ngarkim-shkarkimi, eksportoheshin drejt Turqisë.
Agjenti detar ndau me BIRN foto të ngarkesave me ‘big bags’ të bardhë që po ngarkoheshin për t’u transprtuar drejt anijeve të mallrave në vitin 2018. Ai shpjegoi gjithashtu se hiri ishte i vështirë për t’u paketuar, për shkak se me kalimin e kohës, metalet e rënda që përmbante ai sedentoheshin.
Agjenti gjithashtu shpjegoi se eksporti i lëndëve të rrezikshme kërkon kushte të veçanta dhe ka kosto të larta, duke i shtyrë kompanitë ta deklarojnë mallin si material jo të rrezikshëm.
Pamjet satelitore të publikuara në aplikacionin ‘Google Earth’ në nëntor 2023, tregojnë sasi minerali të ngjashme me EAFD, të paketuara në ‘big bags’ dhe të depozituara në terminalin e mineraleve në portin e Durrësit. Agjenti tha se këto thasë të bardhë ishin të ngjashëm me ato të esksportuara në vitin 2018 me origjinë nga mbetjet e Kurum.
E pyetur nga BIRN, kompania gjermane që menaxhon terminalin e mineraleve, EMS Albanian Port Operator shpk tha se sipas dokumenteve që dispononte, këta thasë nuk përmbanin mbetje hiri oxhaku, ndërsa shtoi se po bashkëpunonte me autoritetet për dërgesën e sinjalizuar për në Tajlandë.
“Bazuar në bazën tonë të të dhënave dhe duke iu referuar dokumenteve që shoqërojnë ngarkesat, EMS APO Shpk nuk ka depozituar ose përpunuar asnjëherë pluhur furre elektrike (pluhur EAF) në Terminalin Lindor gjatë pesë viteve të fundit,” tha operatori i terminalit.
“Jemi në dijeni të akuzave në lidhje me dërgesën e pluhurit të furrës me hark elektrik (pluhur EAF),” shtoi kompania.
“Ne po bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet dhe u kemi vënë në dispozicion të gjitha informacionet dhe dokumentet përkatëse që zotërojmë,” përfundoi ajo.
Kthimi i kontenjerëve, gjysma e punës
Terminali lindor në portin e Durrësit menaxhohet përmes një koncesioni të vitit 2013 nga kompania gjermane EMS Shipping and Trading Gmbh, por menaxhimi i terminalit nga kjo kompani është vënë në pikëpyetje. Shkak janë bërë mosmarrëveshjet me Autoritetin Portual Durrës, si dhe zhvillimin nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar të projektit “Durrës Port Yachts and Marina”, i cili parashikon ndërtimin dhe zhvillimin e një porti të ri jahtesh, apartamente dhe hotele në vend të portit ekzistues.
Marinën e projektuar nga Alabbar e ndajnë vetëm disa blloqe betoni të rrethuara me kangjella nga terminali ku depozitohen mineralet dhe nga ku raportohet se janë mbushur dhe eksportuar kontenjerët me mbetje të dyshuara të rrezikshme.
Një burim në portin e Durrësit i tha BIRN që kompania EMS dhe terminali e ka humbur një pjesë të madhe të biznesit kundrejt portit MBM të ndërtuar nga kompania “Kastrati” në Porto Romano dhe tashmë mbijeton kryesisht nëpërmjet të ardhurave të qirasë së mineraleve të depozituara në terminalin e saj gjatë viteve nga kompani të ndryshme, të cilat nuk kanë gjetur ende një blerës.
Jim Puckett i BAN ndau me BIRN disa foto që tha se janë dorëzuar nga bibilfryrësi, ku shihen kontenjerët e kompanisë MSC – e cila ka bërë transportin e kontenjerëve të dyshuar nga Durrësi në Trieste, port ku janë ngarkuar në anijet e linës Maersk.
Puckett tha BIRN se ka shumë pikëpyetje se si këto mbetje kanë arritur në këtë terminal dhe nga vijnë ato, ndërkohë që theksoi se autoritetet duhet të hedhin dritë mbi përmasat e këtij eksporti dhe kush është i përfshirë, si gjeneratorët ashtu dhe ndërmjetësit e mbetjeve.
Në një deklaratë në 14 gusht, Maersk njoftoi se po punonte për t’i kthyer kontenjerët e dyshuar në anijet Maersk Compton dhe Maersk Candor në Shqipëri.
“Duke pasur parasysh spekulimet në lidhje me përmbajtjen e këtyre kontenjerëve, kompania aktualisht po bashkëpunon me autoritetet përkatëse në Singapor dhe linjën e transportit për llogari të së cilës ne operojmë, për të siguruar që këta kontenierë të kthehen në Shqipëri me mënyrën më të mirë të mundshme,” deklaroi Maersk.
BAN e vlerësoi vendimin e kompanisë për t’i kthyer në Durrës kontenjerët e dyshuar të ngarkuar në bordin e ‘Maersk Campton’, por theksoi se kthimi i ngarkesës ishte vetëm gjysma e punës.
“Ne përshëndesim vendimin e Maersk për të kthyer ngarkesën e dyshuar me mbetje të rrezikshme. Por puna nuk ka përfunduar,” tha Jim Puckett në një deklaratë për shtyp, ndërsa shtoi se “më herët këtë vit, Maersk dorëzoi një ngarkesë të ngjashme mbetjesh në Kinë, e cila gjithashtu duhet të kthehet.”
“Për më tepër, kompania duhet të vendosë masa për të parandaluar që anijet e tyre të transportojnë mbetje të rrezikshme, mbetje elektronike dhe mbetje plastike në vendet në zhvillim në të ardhmen,” përfundoi ai./REPORTER.AL