Këtë të Enjte ka nisur procesi i vënies së vulave në fletët e votimit për diasporën, i cili monitorohet 24 orë me kamera. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Ilirjan Celibashi dha të gjitha detajet, që nga dërgimi i zarfeve e deri te mënyra si do ndërveprohet me emigrantët shqiptarë. Ai deklaroi se nëse përgatitet shpejt dokumentacioni zgjedhor, atëherë dërgimi i zarfeve do nisë në fundjavë.

“Deri nga mesnata do përfundojmë procesin e vulosjes së fletëve të votimit, shpresojmë pastaj të vazhdojmë me futjen e zarfit A te zarfi B dhe më pas zarfin B bashkë me elementët e tjerë të dokumentacionit zgjedhor te zarfi i Operatorit të Shërbimit Postar. Nëse përfundojmë brenda javës, në fund të javës do fillojmë me dërgimin e zarfeve te posta për atë sasi që ne do kemi gati, pjesë-pjesë sipas destinacioneve.”

Po çfarë ndodh në rast se votuesi nuk gjendet në banesë, si operohet?
“Koha që do kenë në dispozicion, nëse nisim shpërndarjen të Hënën që vjen, brenda një dite për Greqinë e Italinë do e kenë zarfin me fletë votimi në banesën e tyre. Jemi duke diskutuar akoma me Operatorin e Shërbimit Postar, do synojmë që ta mbajnë këtë dokumentacion nga data 2,3 Maj… Nëse postieri nuk e gjen në banesë, do lërë shënim që erdha nuk ju gjeta dhe do caktojë një orar për herën e dytë. Nëse edhe herën e tretë s’ka mundësi të puqen oraret, do lihet një shënim që dokumentacioni zgjedhor gjendet në Zyrën Postare numër kaq, ku mund të paraqiteni me dokument identifikimi”, sqaroi kryekomisioneri.

Edhe pse nuk ka një datë fikse si afat të fundit, u shpreh se kthimi i fletëve të votimit nuk mund të bëhet përtej datës 4 Maj.

“Nëse deri më 3 Maj, akoma nuk e kemi vendosur…por jo përtej një date të tillë! Pasi duhet llogaritur koha që duhet kthyer zarfi, sipas parashikimeve, në rastin më ekstrem duhen 4 apo 5 ditë për ta kthyer mbrapsht. Prandaj po shikojmë nëse ekziston mundësia që ata ta mbajnë deri në datë 3 ose 4.”

Theksoi se nuk do njihet asnjë zarf që futet në Republikën e Shqipërisë pas orës 19:00 të datës 11 Maj.

Si kthehet zarfi pas në Shqipëri? (Postieri troket 3 herë në derën e votuesit)
“Votuesi nga jashtë nuk ka nevojë të shkojë në një Zyrë Postare apo ndonjë operator tjetër postar, në momentin që ka përfunduar procesin e votimit. Do fusë fletën e votimit te zarfi A, zarfin A te zarfi B dhe këtë tek zarfi i Postës, të gjitha në fakt janë sqaruar te udhëzimet që ka dërguar KQZ. Nëse edhe në këtë komunikim nuk arrijnë të jenë të qartë, kanë gjithë kohën në dispozicion të lexojnë udhëzuesin. Në momentin që ka përfunduar ky proces, do telefonojë DHL-në. Nuk ka nevojë të dalë votuesi nga shtëpia, mjafton të marrë në telefon postierin t’i thotë jam gati, hajde mere zarfin”, tha Celibashi.

Kujdes! Sipas KQZ, ndalohet çdo shënim mbi Zarfin A dhe mbi Zarfin B

I gjithë procesi i prodhimit, dërgimit dhe më pas kthimit të fletëve të votimit nga diaspora ka kushtuar 9.2 milionë Euro. Këto fletë kanë destinacion plot 85 shtete të botës. Kujtojmë se në platformën “Microsoft Exchange Server”, votuesit e diasporës mund të dërgojnë çdo ankesë apo të paraqesin çdo problem lidhur me këtë proces.

Në këto zgjedhje parlamentare, të drejtën për të shprehur vullnetin e tyre politik e kanë 3,713,761 persona, brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje do të ketë 5,225 qendra votimi dhe për herë të parë në historinë e procesit zgjedhor në vend, voton diaspora!/KLAN

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu