Presidenti Joe Biden u përpoq fuqishëm të premten për të qetësuar shqetësimet në radhët e demokratëve për paraqitjen e tij gjatë debatit me ish-presidentin Donald Trump. Ndërkohë zyrtarët e zgjedhur të partisë u bashkuan përreth tij, në përpjekje për të ndalur idetë për zëvendësimin e tij si kandidat për president i Partisë Demokrate.

Hezitimi i tij gjatë debatit dhe komentet e zbehta në veçanti në fillim të debatit, ushqyen frikën në radhët e vetë anëtarëve të partisë së tij, se në moshën 81-vjeçare, ai nuk është në nivelin e duhur për detyrën e drejtimit të vendit për katër vite të tjera. Kjo krijoi një moment krize për fushatën e tij elektorale dhe për presidencën e tij, ndërsa anëtarë të partisë së tij filluan të kontaktojnë zëvendësuesit e mundshëm, si dhe donatorët dhe mbështetësit që nuk mund ta përmbanin më shqetësimin për paraqitjen e tij të dobët përballë ish-presidentit Trump.

yacht hotel sarande

 

Presidenti Biden duket se i pranoi kritikat gjatë një tubimi në Raleigh, të Karolinës së Veriut, duke thënë se “nuk debatoj më aq mirë si dikur”. Por, ai shtoi se “e di si ta bëj këtë punë. Di si t’i realizoj gjërat”. Në një fjalim prej 18 minutash, presidenti Biden dukej shumë më i gjallëruar krahasuar me paraqitjen e një nate më parë dhe kritikoi ashpër ish-presidentin Trump për “gënjeshtrat” e tij dhe për fushatën e tij që synon “hakmarrje dhe shpagim”, siç u shpreh presidenti Biden.

 

“Zgjedhja në këto zgjedhje është e thjeshtë”, tha presidenti Biden. “Donald Trump-i do ta shkatërrojë demokracinë tonë. Unë do ta mbroj”.

 

Ai shtoi, duke aluduar për kandidimin e tij: “Kur të rrëzojnë, duhet të ngrihesh sërish”.

Që përpara debatit, mosha e presidentit Biden kishte qenë një pikë e dobët për votuesit dhe paraqitja në përballjen e së enjtes në mbrëmje duket se përforcoi shqetësimet e thella të publikut. E gjithë kjo ndodhi përpara audiencës më të madhe që ai ndoshta do të mundet të ketë deri në ditën e zgjedhjeve.

 

Në prapaskenë, zyrtarët e fushatës së tij elektorale kaluan orë të tëra duke punuar për të qetësuar shqetësimet dhe për të ruajtur mbështetjen e donatorëve dhe të zyrtarëve. Ligjvënësit demokratë pranuan të premten paraqitjen e dobët të presidentit Biden, por u përpoqën të ndalnin idetë për zëvendësimin e tij si kandidati kryesor për president. Ata u përpoqën ta zhvendosin vëmendjen tek sulmet dhe deklaratat e ish-presidentit Trump, që ata shpresojnë se do t’iu rikujtojnë votuesve turbullirat e përditshme gjatë presidencës së tij.

“Presidenti nuk pati vërtet një mbrëmje të mirë, por po kështu ishte edhe për Donald Trump-in, me gënjeshtra pas gënjeshtrave dhe vizionin e tij të errët për Amerikën”, tha guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, duke folur për agjencinë e lajmeve Associated Press të premten, pak orë pasi do të prezantonte presidentin Biden në Raleigh. “Nuk mund ta çojmë sërish Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë. Ai është një rrezik ekzistencial për vendin tonë”.

Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries u përgjigj me një “jo” të prerë, kur u pyet të premten nëse presidenti Biden duhej të tërhiqej. Por, ai shtoi se do të ndiqte me interes se si presidenti do ta trajtonte në tubimin e së premtes paraqitjen e tij gjatë debatit.

“Pres me padurim të dëgjoj nga presidenti Biden”, tha ai. “Dhe derisa të artikulojë një vizion të tijin për Amerikën, do t’i rezervoj komentet rreth çdo gjëje që lidhet me momentin ku gjendemi tani. Mund të them vetëm se mbështes kandidaturën e tij”.

 

Ligjvënësi demokrat Ritchie Torres tha se “që nga paraqitja e djeshme, më është dashur të marr më shumë qetësues se zakonisht”.

 

“Njerëzit më kanë pyetur nëse ndihem mirë me debatin. Duhet ta dini se një presidencë e Donald Trump-it do më trazonte shumë më tepër se paraqitja në debat e Joe Biden-it”.

 

Ekipi elektoral i presidentit Biden e përshkroi tubimin në Raleigh, si më të madhin të mbajtur deri më tani, në shtetin ku ish-presidenti Trump fitoi me një diferencë të ngushtë në vitin 2020. Në vazhdim, presidenti Biden do të udhëtojë drejt Nju Jorkut për një fundjavë aktivitetesh me donatorë të mëdhenj, për të cilët fushata e tij ka nevojë më shumë se ndonjëherë më parë në përpjekjet për t’ia kaluar ish-presidentit Trump.

 

Sipas rregullave të tanishme të Partisë Demokrate, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, zëvendësimi i presidentit Biden si kandidati zyrtar i partisë, pa dëshirën e tij, ose pa vullnetin e zyrtarëve të partisë për të ndryshuar rregulloret në konventën kombëtare që mbahet në gusht. /VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu