
Ish-Presidenti amerikan Joe Biden ka filluar terapinë me rrezatim si pjesë e trajtimit të tij për kancerin e prostatës – një formë agresive e sëmundjes që, sipas zyrës së tij, është përhapur edhe në kocka.
Një zëdhënës i ish-presidentit konfirmoi për CNN se, “si pjesë e planit të trajtimit për kancerin e prostatës, Presidenti Biden është aktualisht duke iu nënshtruar terapisë me rrezatim dhe trajtimit me hormone.”
Lajmi u raportua fillimisht nga NBC News, ndërsa sipas burimeve të CNN, trajtimi ka nisur prej disa javësh.
Biden, i cili do të mbushë 83 vjeç muajin e ardhshëm, u diagnostikua në maj me një formë “agresive” të kancerit, që megjithatë nuk ka prekur organet e brendshme.
“Prisja është që ne do ta mposhtim këtë,” tha presidenti Biden për CNN, dy javë pas diagnozës. “Nuk është në asnjë organ, është në kocka – të forta, nuk është depërtuar. Ndihem mirë.”
Mjekët kanë sqaruar se kanceri i prostatës është një nga format më të zakonshme te meshkujt e moshës së avancuar. Sipas Dr. Jamin Brahmbhatt nga Orlando Health, “shumica e meshkujve, me kalimin e viteve, kanë qeliza të vogla kancerogjene pa e ditur.”
Në maj, zyra e Biden njoftoi se kanceri i tij ishte klasifikuar me Gleason score 9, që sipas Dr. Benjamin Davies, profesor i onkologjisë urologjike në Universitetin e Pittsburgh, “përfaqëson formën më agresive të kancerit të prostatës.”