
Një histori prekëse vjen nga Roma: Lucilla Vespucci, ish-drejtore e bibliotekës së Departamentit të Matematikës në Universitetin “La Sapienza”, ka vendosur t’i dhurojë një pjesë të pasurisë së saj strehës komunale të maceve të Muratella-s, vendit ku strehohen dhe kujdesen macet e braktisura të kryeqytetit italian.
Në testamentin e saj, Vespucci ka lënë 156,617 euro për “blerjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve që ndihmojnë macet e mia të dashura të jetojnë në kushte më të mira”, siç thuhet në dokumentin e nënshkruar para vdekjes së saj më 10 janar të këtij viti.
“Ky gjest më preku thellë. Ishte një grua me vlera të mëdha, e përkushtuar ndaj dijes dhe dashurisë për kafshët”, tha Sabrina Alfonsi, assessore për Mjedisin në Bashkinë e Romës.
Lucilla Vespucci, e njohur për aktivitetin e saj në mbrojtje të kafshëve dhe për angazhimin në botën akademike, ka kërkuar që në kujtim të saj dhe të bashkëshortit, Alfonso Vignoli, të vendoset një pllakë përkujtimore në strehën e Muratella-s. Vignoli, matematikan dhe studiues i kulturës ruse, ndërroi jetë në vitin 2019.
Kur trashëgimia përfundon te kafshët
Nuk është hera e parë që një trashëgimi testamentare u dedikohet kafshëve. Ka pasur disa raste kur qytetarë, zakonisht të moshuar ose pa trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, kanë zgjedhur t’u lënë një pjesë të pasurisë së tyre strehëve për qen e mace – ose edhe drejtpërdrejt miqve të tyre me katër putra.
Në Milano, një grua i la më shumë se 300 mijë euro strehës komunale për të mbështetur kujdesin ndaj kafshëve endacake. Në Bolonjë, një rrobaqepëse në të nëntëdhjetat vendosi që trashëgimia e saj t’u shkonte pacientëve me sëmundje onkologjike dhe strehës së qenve të qytetit – një akt i madh bujarie ndaj komunitetit.
Në Indi, një fermer përjashtoi fëmijët e tij nga testamenti, duke lënë gjithçka qenit të tij, si shenjë mirënjohjeje për dashurinë dhe besnikërinë e kafshës. Po ashtu, magnati indian Ratan Tata ka vendosur t’i lërë një pjesë të pasurisë së tij qenit Tito.
Por mbetet i paharruar rasti i Gunther, qenit të racës “pastor gjerman”, i njohur si “qeni më i pasur në botë”, një nga rastet më të famshme të trashëgimisë së lënë në favor të një kafshe.




