
Një someliere po bëhet virale në rrjetet sociale falë një truku të thjeshtë që ndihmon për të ruajtur verën e hapur duke i ruajtur freskinë dhe shijen.
Warner Boin Dowlearn, e njohur në TikTok si @confidenceuncorked, ka ndarë një metodë që ajo e quan “life-changing” për të gjithë ata që herë pas here u mbetet verë në shishe. Videoja e saj, e postuar fillimisht në vitin 2023, ka rifituar popullaritet dhe ka kaluar 2.7 milionë shikime.
Në vend që të taposni shishen e verës së mbetur, Dowlearn këshillon që vera të hidhet në një kavanoz ose një enë tjetër hermetike, si shishe kombucha. Kjo zvogëlon sasinë e oksigjenit në kontakt me verën, duke ndihmuar në ruajtjen e cilësisë së saj.
“E di që duket çmenduri, por mos i vini më tapën shishes së verës së mbetur,” tha ajo në video. “Tapat janë poroze dhe oksigjeni që futet dëmton shijen.”
Truku është i thjeshtë dhe praktik: derdhni verën në një kavanoz të pastër, mbylleni mirë dhe ruajeni në frigorifer. Sipas Dowlearn, kështu vera do të jetë ende e freskët edhe pas disa ditësh.
“Betohem që funksionon,” thotë ajo. “Mos e gjykoni derisa ta provoni.”
Komentues të shumtë kanë ndarë përvoja të ngjashme dhe kanë dhënë këshilla alternative: “Unë e ruaj në shishe birre me kapëse metalike – zgjat shumë,” shkroi një përdorues. Një tjetër shtoi: “E provova këtë dhe e rekomandoj me gjithë zemër.”
Natyrisht, nuk munguan dhe batutat për faktin që dikujt i mbetet verë: “Zakonisht është gota që më ngelet pa pirë sepse më zë gjumi,” tha dikush me humor.
Për ata që e ndajnë një gotë verë dhe duan ta shijojnë edhe më vonë, ky truk i thjeshtë mund të bëhet një zakon i ri.