Tiranë, 8 Korrik 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mbulimin e një “krimi të rëndë mjedisor” me devijimin e vëmendjes publike drejt çështjes së Thethit dhe kontejnerëve në pronësi të Prek Kodrës, një personazh i përfshirë në dosjen “Metamorfoza”.

Në një deklaratë për shtyp nga Partia Demokratike, Berisha akuzon kryeministrin Rama për helmimin e qytetarëve të Elbasanit dhe Vlorës si pasojë e djegies së plehrave në mënyrë të pakontrolluar, duke prodhuar toksina të rrezikshme për shëndetin. Sipas tij, kjo përbën krimin më të rëndë mjedisor në historinë e vendit.

“Zjarri gjashtëditor në Elbasan prodhoi dioksina dhe toksina të rrezikshme. Rama nuk mban asnjë përgjegjësi, ndërsa merret me kontejnerët e një krimineli që sipas dosjes ‘Metamorfoza’ kishte marrë përsipër të ekzekutonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se Prek Kodra, i cilësuar si i përfshirë në plane për eliminimin e Kurtit, është njoftuar dhe është larguar pa u arrestuar, dhe se autoritetet shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë serioze ndaj tij.

Berisha gjithashtu kritikoi ashpër vendimin e një prokuroreje që nuk lëshoi urdhër arresti për ndërtimin e kontejnerëve, duke thënë se këto objekte nuk ishin ndërtim me themele dhe për rrjedhojë nuk përbënin ndërtim pa leje sipas ligjit. Ai denoncoi faktin se policia nuk apeloi këtë vendim në gjykatë.

Sipas tij, zhurma që po bëhet për Thethin është një manovër për të mbuluar “gjëmën e Elbasanit dhe Vlorës”, ndërkohë që Rama ka dështuar edhe me inceneratorët në Tiranë dhe Fier.

“Kjo është vjedhja e shekullit. Llamarina që solli në Elbasan nuk funksionoi as tre muaj, ndërsa inceneratorët në Tiranë dhe Fier mbeten projekte të dështuara”, deklaroi Berisha.

Ai përfundoi duke thënë se këto çështje nuk janë thjesht politike, por thelbësore për kushtetutën, ligjin dhe drejtësinë në vend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu