Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se gara brenda opozitës për kandidatin e djathtë në Tiranë është më e gjerë se kurrë më parë. “Të garantoj që deri tani PD ka jo një, por të paktën 12 ose 13 kandidatë. Të garantoj për këtë,” – tha Berisha, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes është i hapur për të gjithë.

Ai kujtoi se parimi i hapjes ndaj kandidatëve të pavarur nuk është i ri për PD-në: “Ne shpallëm një parim, që të mirëpresim kandidatura të pavarura nga partitë. Ky parim ka ekzistuar që në zgjedhjet e vitit 2003, dhe sot po ndiqet gjithnjë e më shumë edhe në Europë e në botë.”

Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë shfaqur interes për t’u përballur në garën e Tiranës: “Shpreh mirënjohje për çdo njeri që kandidoi gjatë këtyre ditëve si i pavarur, si kandidat i qytetarëve, dhe i garantoj për respektin tim më të madh për vendimin e tyre. Tirana do të ketë kandidatin më të dashur ndonjëherë.”

Në vijim, ai ironizoi një nga daljet e fundit publike të kryeministrit Rama, duke iu referuar “monologut” me Ogerta Manastirliun: “A e patë ju atë monologun e Ramës me Ogertën? Shiheni pak, mezi mbante veten për t’i rënë të fikët, dhe çdo tre rreshta vetëm ‘ti je’, ‘ne jemi vepra jote’, ‘ne kështu, ne ashtu’.”

Sa i takon përzgjedhjes përfundimtare të kandidatit, Berisha sqaroi se ajo nuk do të jetë vendim personal: “Kush do të jetë kandidati do të përcaktohet nga koalicioni dhe nga aleatët, dhe jo vetëm nga unë. Sigurisht unë kam zërin tim, por këto do t’i merrni vesh në vazhdim.”

Në fund të fjalës së tij, lideri demokrat e mbylli me një thirrje për unitet kundër qeverisë: “Mirënjohje për të gjithë ata që shprehën gatishmëri për t’u përballur me të keqen e madhe, që quhet Edi Rama dhe që sot është njeriu më i damkosur në Europë dhe në botë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu