
Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Troplini, se po mbron kryeministrin Edi Rama në lidhje me çështjen McGonigal dhe se prej dy vitesh ka mbajtur në sirtar dosjen e dorëzuar nga opozita.
“Altin Troplini është bërë mburojë e Ramës për të mos e hetuar skandalin McGonigal. Do të jetë opozita që do të hetojë Ramën, McGonigalin dhe Altin Troplinin, të lidhur ngushtë në një krim të shëmtuar,” deklaroi Berisha.
Ai njoftoi se opozita do të krijojë një komision hetimor parlamentar për veprimtarinë që, sipas tij, përfshin Shqipërinë dhe Kosovën: “Do të demaskojmë me prova e fakte mbrojtjen që Troplini i ka bërë McGonigalit, një nga protagonistët kryesorë në mashtrimin e madh të dosjes ruse për presidentin Donald Trump,” tha ai.
Berisha e akuzoi gjithashtu qeverinë se ka shkaktuar një dëm prej 120 milionë eurosh për shkak të çështjes “Agon Channel” dhe për mbylljen ose konfiskimin e mediave të pavarura si Ora News dhe News 24.
Sipas tij, McGonigal ka qenë i kontraktuar nga zyrat e Ramës, ka ndërhyrë në licenca të kompanive, ka vendosur gjoba të mëdha për biznese shqiptare dhe ka udhëtuar në Vjenë me ministra të qeverisë për të marrë dëshmi të fabrikuara kundër opozitës.
“Aktiviteti kriminal i McGonigal dhe Edi Ramës është më i dënueshmi pas atij që McGonigal ka kryer në SHBA ndaj presidentit Donald Trump,” përfundoi Berisha.