
Partia Demokratike, në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer” (KAS), zhvilloi programin e trajnimit për deputetët e rinj të PD-së, ku mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e tij, Berisha u përqendrua tek roli, përgjegjësia dhe misioni që mbart një deputet në përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se “raporti më thelbësor i çdo deputeti është ai me zgjedhësit e tij”.
Ai theksoi se kontakti i vazhdueshëm me elektoratin është i pazëvendësueshëm dhe se “fatkeqësia më e madhe e një deputeti është kur shkëputet nga ata që e kanë votuar”. Berisha u ndal gjithashtu tek dobësitë e funksionimit parlamentar, duke kritikuar mungesën e stafit mbështetës për deputetët. Sipas tij, “parlamenti aktual është skeletik”, dhe është e domosdoshme krijimi i kushteve që deputetët të mund ta përmbushin me dinjitet profesionin e tyre. Ai shtoi se më e drejtë do të ishte investimi në staf profesional për deputetët, sesa rritja e pagave të tyre.
Në vijim, Berisha përcolli një mesazh etik për përfaqësuesit e rinj të opozitës: “Kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut.” Ai paralajmëroi se çdo kompromis me këto parime e kthen politikanin në një individ të rrezikshëm me pushtetin që mban.
Berisha foli edhe për gjendjen e pluralizmit politik në Shqipëri, duke e cilësuar situatën aktuale si shqetësuese. “Në Shqipëri po shtypet pluralizmi politik,” deklaroi ai, duke e quajtur “fillim të frikshëm” mënyrën sesi po funksionon parlamenti. Sipas tij, votimi i programit qeveritar dhe i ministrave për vetëm 28 minuta “është i paimagjinueshëm për një sistem demokratik”.
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje deputetëve të rinj të qëndrojnë besnikë ndaj ndërgjegjes dhe bindjeve të tyre: “Kurrë parlamentari nuk duhet të shkelmojë mbi ndërgjegjen e tij. Ajo është udhërrëfyesi i tij politik dhe njerëzor.”