Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar për mungesën e vëmendjes ndaj problemeve në sistemin shëndetësor, duke theksuar se qindra gra kanë humbur jetën për shkak të mosfunksionimit të aparaturave për kancerin e gjirit.
Berisha tha se ndërsa mediat mbushen me tituj për ngjarje të veçanta, si rasti i këngëtares Parashqevi Simaku, vdekjet e këtyre grave nuk kanë marrë asnjë vëmendje.
“Ndodhi një rast dhe ka një javë që qindra mijëra tituj, Eureka-Eureka-Eureka, për një njeri që ka qenë këngëtare e shquar, por njeri fatkeq. Ndërkohë 600 simotra të saj janë përcjellë në atë botë sepse aparaturat nuk punonin për të mjekuar kancerin e gjirit. Liheshin pa mjekim. Keni parë tituj për këto? Është diktaturë!”, tha Berisha.
Ai e krahasoi situatën me romanet e Gabriel Garcia Marquez, duke e cilësuar qeverinë si një “diktaturë bandash dhe oligarkësh” që injoron problemet e qytetarëve dhe kufizon lirinë e medias.
Sipas tij, vetëm një grup i vogël analistësh dhe gazetarësh kanë guximin të flasin për këto çështje.
“Analistë, gazetarë, publicistë, intelektualë, po të marrësh dhe t’i dëgjosh, janë një grup fare i vogël ata të cilët flasin për diktaturë. Po t’i ndjekësh, janë 3-4, mund të bëhen dhjetë, që flasin për farsë elektorale, se që të gjithë flasin për zgjedhje”, u shpreh Kreu i PD.