Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje të dytë për mediat u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i drejtohen kutive të votimit deri në orën 19:00, orari zyrtar i mbylljes së procesit të votimit.

Berisha falenderoi të gjithë ata që tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre me votë dhe tha se të gjithë ata emigrantë të cilët nuk mundën të regjistroheshin për të votuar nga vendi ku jetojnë, ditën e sotme janë dyndur në Shqipëri.

Berisha: Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare. Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri. Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre.

Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe. Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën. Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari./vizion plus

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu