
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 10 shkurtit para Kryeministrisë, duke deklaruar se opozita do të protestojë “deri në fitore” dhe se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Gjatë fjalës së mbajtur në “Foltoren” para Kryeministrisë, Berisha theksoi se protesta synon, sipas tij, përmbysjen e qeverisë dhe rikthimin e shpresës për shqiptarët.
“Ne do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe të madhe për të shndërruar pasuritë e Shqipërisë në begati për shqiptarët. Ne dalim dhe do të dalim në protesta gjer në fitore,” u shpreh ai.
Kryedemokrati ftoi qytetarët nga e gjithë vendi që të dalin në rrugët dhe sheshet e Tiranës më 10 shkurt, duke e cilësuar këtë datë si “ditën e kryengritjes paqësore”.
Berisha hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, të cilën e quajti “regjim antishqiptar”, ndërsa shtoi se Rama “nuk ka alternativë tjetër përveçse të japë dorëheqjen”.
Një pjesë e fjalës së tij iu drejtua edhe forcave të rendit. Ai u kërkoi policëve të shmangin përplasjet me protestuesit dhe të mos zbatojnë, sipas tij, urdhra që mund të çojnë në tensione.
“Mos i zemëroni qytetarët se zemërimit të tyre nuk ka forcë në botë që i reziston. Ata vijnë për t’u marrë me Edi Ramën, jo me ju,” deklaroi Berisha.
Në përfundim, lideri i opozitës theksoi se beteja është për “dinjitetin kombëtar” dhe për të ardhmen e vendit, duke shtuar se opozita është e vendosur të vazhdojë mobilizimin deri në arritjen e objektivave të saj.






