
TIRANË – Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka thirrur qytetarët shqiptarë që të marrin pjesë në një protestë kombëtare më 10 shkurt, në orën 17:00, në Tiranë, kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga Partia Demokratike, Berisha thekson se vetëm reagimi qytetar, revolta dhe qëndrimi kundër padrejtësisë dhe korrupsionit mund të sjellin ndryshim politik në vend.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet përballë një situate të rëndë, të shkaktuar nga ajo që ai e cilëson si “plaçkitje”, “narkoshtet” dhe “varfërim i qëllimshëm” i qytetarëve. Berisha akuzon kryeministrin Rama se, në vend të dorëheqjes, po sfidon qytetarët dhe po injoron përgjegjësinë politike.
“Është vetëm sovrani, gjuha e tij, revolta dhe zemërimi i tij që do ta detyrojnë këtë organizatë kriminale të largohet nga pushteti”, thuhet në deklaratë, ku Berisha kërkon largimin e qeverisë aktuale dhe hapjen e rrugës për një qeveri teknike dhe zgjedhje të ndershme.
Kreu i opozitës i bën thirrje të rinjve, grave, burrave dhe të moshuarve, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, që të bashkohen në protestën e 10 shkurtit në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për të ardhmen politike të Shqipërisë.



