
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj njoftimeve të SPAK-ut lidhur me procedurat e komunikimit me të, duke i cilësuar ato “gënjeshtra absolute” dhe duke bërë thirrje që gazetarët të bllokojnë kontaktet e institucionit, të cilat sipas tij “dezinformojnë opinionin publik”.
Në një prononcim për median, Berisha akuzoi SPAK-un se po manipulon për të krijuar përshtypjen se ai është njoftuar rregullisht, ndërsa ai vetë mohon të ketë marrë ndonjë komunikim zyrtar.
Berisha: “Rojat janë të përgjegjshëm, SPAK-u mashtron”
Berisha u shpreh se personat përgjegjës për administrimin e postës së tij fizike kanë vepruar gjithmonë sipas rregullave:
“Ata roja janë njerëz të përgjegjshëm. Më kanë dorëzuar çdo dokument që ka ardhur. Kur gjykata ka pasur urgjencë, i kanë dërguar me motoçikletë me punonjës të policisë. Kurrë nuk ka ndodhur ajo që thotë SPAK.”
Ai akuzoi SPAK-un për fabrikim informacioni:
“Këta janë njerëz të pafytyrë. Ajo është agjenci mashtrimi.”
“Bëjini bllok numrit të tyre, reportoni kontaktet – dezinformojnë”
Ish-kryeministri u bëri thirrje gazetarëve:
“Shiko, bëju bllok atij numrit të tyre sepse dezinformojnë. Thuaju edhe kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën gjë.”
Berisha deklaroi se nuk përdor email në Parlament, duke hedhur poshtë pretendimin se SPAK ka dërguar njoftime nëpërmjet adresës elektronike:
“Emailin e hap çdo ditë. S’kanë dërguar asnjë. Unë nuk kam email në Parlament, nuk e përdor. Po duan të thonë se paskan hapur një llogari emaili kastile.”







