Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar arsyet pse grupi parlamentar i PD-së votoi pro ngritjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Berisha tha se vendimi u mor në kuadër të detyrimit për të reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndonëse theksoi se me qeverinë aktuale “nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”.

“Janë një seri e pafundme rekomandimesh të OSBE/ODIHR. Në raportin e fundit, ata damkosën zgjedhjet e 11 majit si farsë. Në këtë kontekst, ne ndihemi të detyruar që rekomandimet e drejta t’i kthejmë në ligj, ndonëse deklarojmë se me Ramën shqiptarët nuk do të votojnë kurrë si qytetarë,” – deklaroi Berisha.

Duke folur për reformën territoriale, ai e cilësoi atë si një “anti-reformë” që ka krijuar pabarazi të theksuara mes qarqeve.

“Reforma territoriale ishte një anti-reformë, ku u vendosën standardet e pabarazisë maksimale. Rikujtoj që qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë ka 7 njësi, ndërsa qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka vetëm 4 njësi. Ne do të bëjmë gjithçka që këto padrejtësi të anulohen,” – shtoi kreu i PD-së.

Në përmbyllje, Berisha theksoi se vendimtare mbetet vullneti i qytetarëve dhe përpjekja e opozitës për rikthimin e votës së lirë:

“Është vetëm vendimi i qytetarëve dhe përpjekja e opozitës për të kthyer votën e lirë,” – tha ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu