
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se vendi nuk disponon asnjë litër naftë rezervë shtetërore, pavarësisht detyrimeve ligjore të miratuara prej vitesh. Në një takim me ekspertë për sektorin e hidrokarbureve, ai e cilësoi situatën si mungesë të rëndë përgjegjësie shtetërore.
Berisha denoncoi gjithashtu barrën fiskale mbi naftën, duke theksuar se taksa arrin në rreth 60% të çmimit për litër, sipas tij më e larta në botë, dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe jetën e qytetarëve.
Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të sektorit energjetik, duke përmendur degradimin e uzinës së Ballshit dhe situatën në fushat naftëmbajtëse si Patos-Marinza. Sipas tij, kjo ka përkeqësuar më tej krizën e çmimeve.
Në fund, Berisha bëri thirrje për reagim qytetar dhe protesta, duke e cilësuar çmimin e lartë të naftës si një nga arsyet kryesore për përballje me qeverinë.






