
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë deklarata të forta gjatë seancës plenare, duke akuzuar ashpër mazhorancën për mbrojtjen e krimeve, mungesën e legjitimitetit dhe lidhjet, sipas tij, me “narkoregjime”. Ai iu drejtua drejtpërdrejt deputetit Damian Gjiknuri, duke rikthyer një episod të hershëm që, sipas tij, përfshinte një humbje të madhe financiare në familjen e tij. “Kur i humbën mamasë 8 milionë euro, desh vrave veten,” u shpreh Berisha mes replikave të ashpra, duke e akuzuar mazhorancën se qesh për të relativizuar mëkatet e veta.
Berisha vijoi me akuza të tjera politike, duke e cilësuar maxhorancën si “narkodiktaturë” dhe duke paralajmëruar se opozita “do t’u rezervojë atë që u ndodh regjimeve të tilla”. Sipas tij, PD ka të drejtën kombëtare dhe ndërkombëtare për ta përmbysur qeverinë e Edi Ramës, ndërsa i kujtoi deputetëve socialistë se “është radha jonë” për të marrë frenat e betejës politike. Ai solli në vëmendje edhe një episod të debatit 7-orësh mes deputetëve, duke lënë të kuptohet se brenda mazhorancës ka tensione të fshehura: “Muret kanë sy e veshë, kujdes… është vetëm fillimi i tregimeve të mia”.
Në një tjetër akuzë të drejtpërdrejtë, Berisha vuri në shënjestër edhe ministrin Pirro Vengu, duke deklaruar se ai “nuk shkel në dy shtete të NATO-s” për shkak të çështjeve që, sipas tij, lidhen me shtetësinë greke dhe detyrimet që rrjedhin prej saj. “Kur e akuzova për dezertor, më shkruante drejtori i arkivit se Pirro Vengu është ortodoks çam. Ai është zagoriot dhe ka marrë shtetësinë greke dhe duhet t’i përgjigjet asaj,” u shpreh Berisha, duke ngritur pikëpyetje mbi integritetin dhe përfaqësimin e ministrit në strukturat ndërkombëtare.






