
Tiranë, 11 maj 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në një deklaratë për shtyp, duke e cilësuar procesin zgjedhor të fundit si “farsën më të shëmtuar elektorale” që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.
Në një fjalim të gjatë, Berisha deklaroi se 28 deputetë janë futur në Kuvend me ndihmën direkte të botës së krimit, në koordinim me strukturat shtetërore, nën mbrojtjen e prokurorisë dhe me mbështetjen e vetë kryeministrit Edi Rama.
“Ky shtet është një ndërmarrje e përbashkët me krimin e organizuar,” – u shpreh Berisha, duke theksuar se krimi ka qenë më i zyrtarizuar se kurrë në këto zgjedhje.
Sipas tij, bandat në Durrës, Elbasan dhe qytete të tjera kanë bashkërenduar për të mbështetur kandidatë të caktuar, përmes takimeve të fshehta që fillimisht janë zhvilluar në një lokal të njohur si “Kodra e Kuajve” dhe më pas në shtëpinë e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në qendër të akuzave janë përmendur disa emra konkretë:
- Ergys Agasi
- Elvis Doçi (i njohur edhe si Poja)
- Suel Çela
- Vangjush Dako
Sipas Berishës, vetëm katër deputetë të dalë nga ky proces kanë marrë realisht rreth 80 mijë vota në total:
- Sara Mile
- Arkend Balla
- Ani Dyrmishi
- Blendi Xhabafti ( Blendi Gonxhe)
Të tjerët, sipas tij, janë produkte të një “makinerie kriminale elektorale” që nuk ka lidhje me votën e lirë të qytetarëve.
Berisha përmendi edhe dhënie të dyshuara të lejeve për ndërtim për emra të lidhur me krimin, përfshirë Elvis Doçin, i cili, sipas tij, ka marrë leje për dy hotele në Durrës dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Një tjetër akuzë e rëndë ishte edhe ndalimi i qëllimshëm i kapjes së drogës në Portin e Durrësit:
“Ka tre vjet që aty nuk kapet një gram kokainë. Porti është dhënë me qira kundrejt një tarife. Malli është për kryeministrin,” – tha Berisha.
Ai përmendi edhe emra të tjerë si Arben Qimja në Fier, Olsi Rama, Ulsi Manja, si pjesë e asaj që e quan një sistem i lidhur ngushtë me strukturat kriminale.
“Këto nuk janë zgjedhje, janë blerje, janë farsë, janë krim,” – përfundoi Berisha, duke shtuar se ky proces nuk mund të njihet dhe nuk do të njihet kurrë.