Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po shkel Kushtetutën dhe po tenton të ndikojë mbi Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur veten.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se situata në Shqipëri po bëhet çdo ditë më e rrezikshme dhe se, sipas tij, kreu i qeverisë po vendos “barriera speciale” për t’i shpëtuar drejtësisë.

“Edi Rama po sillet si lopë e çmendur. Në një sfidë të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve, ai kërkon të krijojë mburoja ligjore për veten dhe organizatën kriminale që, sipas meje, drejton”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, amendamenti i propozuar synon të përfshijë edhe gjykatësit kushtetues në një “mburojë ligjore” ndaj pezullimit nga detyra, gjë që ai e cilësoi në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.

“Kushtetuta e përcakton qartë se gjykatësi kushtetues pezullohet. Kryeministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe nuk ka asnjë mburojë nga pezullimi”, deklaroi lideri demokrat, duke shtuar se kjo tregon përpjekje për të korruptuar gjykatësit.

Berisha ngriti gjithashtu akuza të rënda edhe për çështje që lidhen me sigurinë dhe të dhënat e qytetarëve, duke përmendur emrin e Ergys Agasit, për të cilin pretendoi se kishte ndikim të gjerë në strukturat shtetërore.

“Nuk është gjë Epstein se çfarë është Ergys Agasi për Shqipërinë. Ai ishte një ‘gropë e zezë’ që kontrollonte dhe vidhte të dhënat e qytetarëve. Shërbimin Informativ e kishte në xhep”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e forta vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa debatet për reformën në drejtësi dhe raportet mes politikës dhe institucioneve vijojnë të dominojnë skenën publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu