Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas publikimit të raportit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm, Igli Hasani, për presion të drejtpërdrejtë ndaj misionit të OSBE-ODIHR.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se “në mënyrë konkrete, presion antiligjor, antidemokratik është bërë ndaj ekipit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR”, duke shtuar se këto akuza i ka denoncuar në të gjitha instancat ndërkombëtare.

Sipas tij, ministri Hasani ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve për t’u kërkuar llogari për formulimet në raport dhe për t’u dërguar mesazhe kërcënuese. “Këta janë ai sekt që besojnë gënjeshtrat e tyre, jetojnë me një realitet që nuk ekziston”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi qeverinë se ka përdorur fondet publike dhe administratën shtetërore në mënyrë të paligjshme për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë:

  • 500 milionë euro në prokurime publike gjatë periudhës së ndaluar nga ligji,
  • 76 milionë euro të shpërndara në mënyrë të paligjshme,
  • 200 milionë euro gjoba të falura në kundërshtim me ligjin,
  • Mbi 10 mijë punësime, si dhe dhjetëra mijëra leje legalizimi, çertifikata pronësie dhe leje ndërtimi në kohë të ndaluara nga ligji zgjedhor.

Berisha tha se të gjitha këto janë bërë për qëllime elektorale dhe theksoi se “ai ka përdorur dhjetëra mijëra punonjës të administratës për të mikluar dhe kërcënuar qytetarët për votë”.

Më tej, ai lidhi qeverinë shqiptare me struktura kriminale ndërkombëtare, duke përmendur emra të njohur të botës së krimit si Dritan Gjiknuri dhe Gys Agasi, për të cilët tha se janë të lidhur me Ramën. Berisha solli në vëmendje edhe vrasjen e një kandidati të opozitës në Kolumbi, për të cilën autoritetet e atjeshme përmendën mafian shqiptare.

“Para 1 jave u godit kandidati për president në Kolumbi dhe presidenti tha, mafia shqiptare, tregoi dhe emrin e personit.
Njerëzit e lidhur me Edi Ramën janë rrezik ndërkombëtar sot. Kështu që nuk mundet më, iku kjo kohë.
Por këta, kur nuk ke turp, bëhet çdo gjë dhe thuhet çdo gjë.”

Duke iu referuar raportit të PE, Berisha tha se vlerësimet kritike nuk janë vetëm mendime personale të eurodeputetit Andreas Schieder, por pjesë e një raporti të votuar unanimisht nga të gjitha grupet politike në PE, përfshirë socialistët dhe popullorët.

“Ky është një gjyq ndërkombëtar për farsën elektorale që ndodhi në Shqipëri”, përfundoi ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu