
Në tubimin elektoral përmbyllës në Durrës, lideri i opozitës Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur debatin me çështjen e djegësit të mbetjeve dhe kontratat që sipas tij kanë rënduar mbi taksapaguesit shqiptarë.
Berisha e quajti “të papërgjegjshme” deklaratën e Ramës për djegësin dhe taksën mbi mbetjet. “Ju paguanit taksën më të lartë në Europë për plehrat, 44 euro për ton, ua merrte Gjushi me fustan për Edi Ramën. Dhe tani kur i kërkojnë llogari, u thotë: ‘epo u djegshi në djegës,’” deklaroi Berisha para mbështetësve të tij.
Duke sfiduar Ramën drejtpërdrejt, Berisha shtoi: “Të garantoj se ai djegës që nuk u ndez kurrë, do të djegë në mënyrë përfundimtare karrierën tënde politike.”
Ai e cilësoi 11 majin si një moment historik për shqiptarët, duke bërë thirrje për mobilizim maksimal në ditët e mbetura. “Tre ditë në jetë janë sa 30 ditë, sa tre muaj, sa tre vite. U ftoj këto tre ditë të kontaktojmë çdo të njohur, kudo që është, në Durrës, në Shqipëri, në diasporë,” tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha premtoi hapjen e një kapitulli të ri për qytetarët, duke përmendur punësimin, mirëqenien, mbështetjen për biznesin dhe bujqësinë, si dhe “madhështinë e Durrësit dhe Shqipërisë.”
Në mbyllje, Berisha i dha një ton entuziast tubimit: “11 Maji, dita e fitores, dita e triumfit të idealeve tuaja! Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!”