Kreu i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka deklaruar se deputeti Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, duke theksuar se ndarja me persona që ndjekin interesa private dhe të paligjshme nuk e dëmton opozitën, por përkundrazi e forcon atë.

Deklarata u bë gjatë një reagimi ndaj pyetjes së një qytetari lidhur me ftesën e Salianjit për pjesëmarrje në foltore.

“Salianjit t’i përgjigjeni si një njeri që ka përjashtuar veten nga PD. As ti, as unë dhe asnjë njeri tjetër nuk është përgjegjës për aktet e paligjshme të atyre që janë vetë përgjegjës për shkeljet e tyre”, u shpreh Berisha.

 

Ai theksoi se ndaj personave që mbrojnë interesa të paligjshme dhe veprojnë për përfitime strikt private, Partia Demokratike nuk mban asnjë përgjegjësi.

“Ai ka vetëm interesa private, të faktuara me dokumente. Për këtë arsye, anëtarësisë i është thënë qartë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga PD”, tha Berisha.

 

Kreu i PD iu referua edhe nenit 24 të Statutit të Partisë Demokratike, duke theksuar se shkeljet flagrante të statutit përbëjnë veprimtari private, pa asnjë lidhje me partinë.

“Kur kapesh në shkelje flagrante të statutit dhe më pas detyrohesh të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja, nuk ka asnjë lidhje me PD-në”, deklaroi Berisha.

 

Berisha nënvizoi se opozitarizmi është një proces i vështirë dhe kërkon integritet politik, duke garantuar se largimi i këtyre individëve nuk e dobëson Partinë Demokratike.

“Mos mendoni se ndarja me këta njerëz e dëmton PD-në. Ju garantoj se e forcon. Ata janë mish i huaj në opozitë, nuk janë opozitarë, por pseudoopozitarë”, tha ai.

 

Në përfundim, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet një forcë politike e hapur, por e vendosur për të mos u bërë strehë e interesave personale apo veprimtarive në shkelje të rënda të ligjit.

“Ne nuk jemi avokatë. Ne jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj”, përfundoi Berisha.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu