
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një konferencë për shtyp se kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke pretenduar se pas Forumit të Davosit, atij iu mbyllën dyert edhe në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Berisha u shpreh se Rama kishte planifikuar udhëtimin dhe takimet, por sipas tij vizita u anulua. Ai falënderoi ata që, sipas tij, refuzuan takimet me kryeministrin shqiptar, duke e cilësuar këtë si një sinjal politik ndaj qeverisë.
Sipas liderit demokrat, në një hark kohor prej tre javësh, Rama ka mbetur jashtë dy prej forumeve më të rëndësishme globale, ndërsa shtoi se protestat e opozitës kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj situatës politike në Shqipëri.
Berisha përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit, duke e cilësuar atë “armik për sigurinë e Europës dhe NATO-s”. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Kryeministria lidhur me këto deklarata.



