
ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin Edi Rama, por vetëm nëse në rendin e ditës të bisedimeve do të jetë ndryshimi i Kushtetutës për krijimin e Senatit.
Teksa e akuzoi Ramën për “farsën elektorale të 11 majit”, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë kompleks për t’u ulur në një tryezë me kundërshtarin e tij politik, nëse bëhet fjalë për një reformë të tillë.
“Nuk ka asgjë për të prekur Kushtetutën. Por nëse është problemi për të përcaktuar Senatin e Republikës, po, jam gati. Nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksapaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve”, – tha Berisha.
Ai shtoi se Senati mund të ishte një institucion i vlefshëm për sistemin politik shqiptar, me kusht që numri i deputetëve të zvogëlohet, në mënyrë që të mos ketë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Lideri i opozitës theksoi gjithashtu se reforma territoriale nuk kërkon ndryshime kushtetuese, ndërsa për Reformën Zgjedhore, PD ka vendosur si kusht që në proces të jetë e përfshirë OSBE/ODIHR, dhe për reformën vendore ekspertët e Këshillit të Europës.
“Reforma vendore nuk ka nevojë për Kushtetutë, ju siguroj që nuk ka. Për Bashkitë them të jenë më shumë. Kushti ynë është që në Komisionin për Reformën Zgjedhore të jetë ODHIR, dhe për Reformën Territoriale ekspertët e Kongresit të Autoriteteve Rajonale të Europës,” – shtoi Berisha.







