
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, të cilin e quan me ironi “Ramaduro”, se po tenton të marrë kontrollin total edhe mbi pushtetin vendor, duke vepruar si “kryebashkiak i Shqipërisë”.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kryetarët e bashkive të djathta nuk do të binden ndaj porosive partiake, por do të veprojnë vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi.
“Kryetarët e Bashkive të djathta qëndrimin e tyre duhet ta bazojnë në Kushtetutën dhe ligjet, jo në udhëzimet e partisë. Kushtetuta, Karta Europiane e Autonomisë Lokale dhe ligji për qeverisjen vendore mbizotërojnë mbi çdo urdhër partiak,” deklaroi Berisha.
Ai përgëzoi kryebashkiakët që, sipas tij, i kanë kundërshtuar urdhrat e Ramës, duke përmendur si shembull rastin e kryetarit të Bashkisë Kavajë, i cili sipas Berishës, “nuk pranoi të zbatojë urdhrin për shkarkime”.
Berisha akuzoi Ramën se po injoron detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës, duke shpërfillur Kartën Europiane të Autonomisë Lokale dhe duke e shkelur rëndë parimin e ndarjes së pushteteve.
“Ky njeri i pangopur do të ketë çdo pushtet në këtë vend. Ai sillet sot si kryebashkiak i Shqipërisë. Pushtetet i ka në duar dhe i ushtron në mënyrën më antikushtetuese të mundshme,” shtoi Berisha.
Ai i riktheu akuzat edhe në plan personal, duke kujtuar lidhjet familjare të Ramës me ish-funksionarë të regjimit komunist dhe duke e akuzuar për urrejtje ndaj opozitës dhe demokratëve.
“Edi Rama ka tmerr nga fjala demokrat. Nuk e harron 20 shkurtin, kur populli rrëzoi diktaturën, ndaj dhe shpërthen në urrejtje ndaj gjithçkaje që lidhet me të djathtën,” theksoi Berisha.
Deklarata e Berishës vjen në një moment tensioni mes qeverisë qendrore dhe bashkive të drejtuara nga opozita, pas raportimeve për tentativa ndërhyrjeje në administratat vendore nga ana e ekzekutivit.