Kreu i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po bllokon qëllimisht drejtësinë dhe procedurat kushtetuese, për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, e transmetuar drejtpërdrejt për media nga salla “Pjetër Arbnori” në selinë e Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se viti 2026 ka nisur me një situatë të paprecedentë në historinë 35-vjeçare të pluralizmit politik në Shqipëri.

Sipas tij, vendi ndodhet përballë një “grushti shteti në zhvillim”, pasi kryeministri, të cilin e cilësoi si “narko-diktator”, ka bllokuar procedurat kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe ministrave të akuzuar nga organet e drejtësisë për korrupsion dhe vjedhje.

“Ky është një akt antikushtetues me pasoja dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është ekzekutimi publik i pushtetit të drejtësisë, i marrë de facto në duart e Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se arsyeja pse Rama nuk e shkarkon ministren Belinda Balluku lidhet drejtpërdrejt me përmbajtjen e dosjes së saj hetimore. “Në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Edi Ramën. Pikërisht për këtë arsye ai nuk pranon në asnjë mënyrë ta dërgojë në bankën e akuzës”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha shtoi se kryeministri është i gatshëm të mbyllë parlamentin, të shkelë Kushtetutën dhe të krijojë konflikte institucionale, vetëm për të mos humbur pushtetin dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë.

Sipas tij, opozita dhe Partia Demokratike mbeten shpresa e vetme e qytetarëve për të gjetur zgjidhje, përballë asaj që e cilësoi si papërgjegjshmëri totale të qeverisë ndaj shqiptarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu