
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është bllokuar nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se integrimi në BE është një nga proceset më të rëndësishme për të ardhmen e vendit, por sipas tij, zhvillimet e fundit kanë sjellë një regres të ndjeshëm.
Ai theksoi se raportet e Komisionit Europian kanë evidentuar probleme serioze si presioni ndaj gjyqësorit, lufta e dobët kundër korrupsionit dhe çështjet me lirinë e medias, të cilat sipas tij janë përkeqësuar.
Sipas Berishës, një nga momentet më të rënda ka qenë vendimi i Parlamentit për të bllokuar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e zëvendëskryeministres, duke e cilësuar këtë si një goditje ndaj shtetit ligjor.
“Shqipërisë në Europë ia mbylli dyert Edi Rama, duke përdorur këtë çështje për të mbrojtur korrupsionin,” u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim të fondeve publike dhe investimeve, duke ngritur dyshime mbi efektivitetin e projekteve infrastrukturore.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur procesi i integrimit në BE mbetet një nga prioritetet kryesore politike, ndërsa debatet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të jenë të forta.






