Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po nxit përplasje civile pas tensioneve të regjistruara në protestën e fundit të opozitës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se disa qytetarë janë ndaluar dhe arrestuar “pa asnjë fakt”, duke i cilësuar të rinjtë e përfshirë si “krenaria e kombit” dhe duke dënuar urdhërarrestet ndaj protestuesve që, sipas tij, po ushtronin të drejtën kushtetuese për të protestuar.

Ai pretendoi gjithashtu se ndaj deputetëve të opozitës është ushtruar dhunë, duke përmendur rastet e Bledion Nallbati dhe Zija Ismaili. Sipas Berishës, goditja ndaj tyre përbën “akt politik kriminal” dhe dëshmon se qeveria synon përshkallëzimin e situatës.

Berisha hodhi poshtë edhe raportimet për efektivë të plagosur, duke deklaruar se “asnjë polic nuk është lënduar” dhe se dërgimi i tyre në spital ishte pjesë e një skenari të inskenuar. Ai shtoi se janë proceduar penalisht edhe disa figura të opozitës, mes tyre Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi, duke e cilësuar këtë një veprim të parapërgatitur nga autoritetet.

Në përfundim, lideri demokrat theksoi se reagimet e qeverisë tregojnë, sipas tij, se “kohërat i kanë të numëruara”, ndërsa garantoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu