
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po kërkon “asgjësimin politik” të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas Berishës, Veliaj është “nxjerrë nga burgu para tre netësh dhe dërguar në drejtim të paditur”, duke e cilësuar këtë si një veprim që ngre “aktakuzë të drejtpërdrejtë ndaj Ramës”.
“E arrestoi me një letër të Anesti Angonit, një pamflet që mund ta shkruante kushdo. E trajtoi në mënyrën më çnjerëzore, deri në futjen e policëve në sallën e operacionit — diçka që s’ka ndodhur as në diktaturën më të zezë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, “Rama është i tmerruar nga Veliaj” dhe kërkon ta eliminojë politikisht. “E shkarkoi në kundërshtim me ligjin, vetëm që t’i japë duart sa më parë”, shtoi ai.
Duke folur për akuzat ndaj ish-kryebashkiakut, Berisha u shpreh se “Veliaj është bashkëautor me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun në projektin prej 130 milionë euro të 5D-së”, ndërsa shtoi se “asnjë hetim nuk është hapur për hotelin prej 20 katesh që, sipas tij, lidhet me familjen Rama dhe Veliaj”.
“PD qëndron shumë qartë: pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj është hajduti më i madh i shqiptarëve në histori. Por, nga ana tjetër, asnjë njeriu, cilido qoftë ai, nuk mund t’i mohohen të drejtat që i garanton ligji dhe Kushtetuta,” u shpreh Berisha.
Në fund të deklaratës, ai tha se “gosipet” brenda burgut flasin për nxjerrjen e Veliajt “në mesnatë, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe dërgimin në drejtim të paditur”, duke kërkuar sqarime nga autoritetet për këtë çështje.