Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, i shoqëruar nga Drejtuesi Politik për Elbasanin, Tomorr Alizoti zhvilloi takim me pensionistët në Elbasan.
Pjesë nga fjala e tij:
Me 11 dhjetor 1990, Ramiz Alia mblodhi Plenumin e Komitetit Qendror dhe u mposht nga kërkesat e studentëve dhe i pranoi ato.
U themelua në Tiranë, PD.
Qytetarët në Elbasan u ngritën në protesta të fuqishme kundër diktaturës. Ramiz Alia në Elbasan u nxori tanket, përdori mjetet më të egra të dhunës, proceset speciale, gjyqet speciale, dënimet drakoniane.
Tregoi brenda dy ditëve fytyrën e tij të vërtetë, të cilin mediat e huaja e quajtën Brezhnjev.
Ajo qëndresë e qytetarëve të Elbasanit pati një jehonë shumë të madhe sepse e bëri botën të ndjeshme me çfarë do përballej opozita e sapokrijuar shqiptare. Përballej pra me një regjim stalinist, i cili dy ditë më parë votoi pluralizmin, dy ditë më vonë u nxirrte tanket protestuesve paqësore.
Kjo është një datë shumë e rëndësishme, por ne sot nderojmë këtë datë, nderojmë ata burra dhe gra, të rinj, që u përballën dhëmb për dhëmb me diktaturën, pasi gjendemi në një diktaturë të re, e ndryshme nga ajo e 32 viteve më parë.
Një diktaturë e cila nuk bazohet më në doktrinën e Marksit dhe Leninit, por bazohet në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
Një diktatura, e cila njëlloj si e para, i ka të gjitha pushtetet në duart e një njeriu.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, kontrollon drejtësinë dhe e përdor atë në armë politikë.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, ka shndërruar zgjedhjet në një fasadë elektorale.
Një diktaturë, e cila nuk ka kampe përqendrimi, por ka të burgosur politikë dhe nuk toleron opozitën, arreston drejtuesit e opozitës me qëllimin e vetëm që të marrë mandatin.
Një diktaturë, e cila vjedh në mënyrën më të paimagjinueshme, aq sa Enver Hoxha futi në bunker buxhet dhe para, kaq vjedhin këta për familjen dhe sojin e sorollopin e tyre.