
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi sot një listë me raste nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilat, sipas tij, tregojnë se deklarata e kryeministrit Edi Rama — se “në BE nuk ndodh kurrë pezullimi i ministrave gjatë hetimit” — është “një mashtrim i pastër publik”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Berisha e akuzoi Ramën se, në konferencën e një dite më parë me komisioneren Marta Kos, “gënjeu me gjakftohtësi para publikut dhe ndërkombëtarëve”, duke mohuar se ekzistojnë raste të tilla në vendet e BE-së.
Berisha: Lista e vendeve që e rrëzon mashtrimin e Ramës
Sipas Berishës, në një sërë shtetesh të BE-së ministrat janë pezulluar gjatë kohës që kanë qenë nën hetim, pa pritur vendimin përfundimtar të gjykatave.
Ai renditi disa emra dhe raste konkrete:
RUMANIA
- Dan Şova – Ministër i Transportit (2015): “Masë ndalimi nga ushtrimi i funksionit publik.”
- Elena Udrea – Ministre e Turizmit (2015): “Pezulluar gjatë hetimeve.”
- Darius Vâlcov – Ministër i Financave: “Humbi kompetencat ekzekutive.”
- Victor Ponta – Kryeministër: “Dha dorëheqjen sapo u njoftua se gjykata po merrte vendim për pezullim.”
ITALIA
- Nunzia De Girolamo – Ministre: “U detyrua të largohej nga detyra.”
FRANCA
- Christian Blanc – Ministër (2010): “Pezulluar gjatë hetimit nga gjykata speciale për zyrtarë të lartë.”
- Charles Pasqua – Ministër i Brendshëm: “Pezullim i kompetencave gjatë hetimeve.”
BELGJIKA
- Willy Claes – Ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ministër i Jashtëm: “Pezullim de facto para dorëheqjes.”
KROACIA
- Ivan Vrdoljak – Ministër i Ekonomisë: “Pezulluar gjatë hetimeve.”
SPANJA
- Berisha: “Ka disa raste pezullimesh të ngjashme.”
IZRAELI
- Berisha përmendi një ministër të shkarkuar menjëherë “pasi nuk kishte deklaruar një dënim”.
VENDE TË TJERA
- India – Gjykata e Lartë trajton çështjet e ministrave.
- Pakistan – Përmendur si shembull i shteteve ku pezullimi dhe shkarkimi ndodhin automatikisht kur nis procedura gjyqësore.
Berisha: “Rama nuk jep dorëheqje, sepse ka frikë”
Në vijim të deklaratës, Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe zv.kryeministren Belinda Balluku për “inkrimimin më të madh të qeverisjes”, duke thënë se në vend të dorëheqjes “ngrihen kundër drejtësisë”.
“Janë kaq të inkriminuar, kaq shumë kanë vjedhur, sa nuk gjejnë një sekondë qetësi në shpirtin e tyre,” – u shpreh Berisha.
“Asnjëherë nuk do të jepnin dorëheqjen siç bëri Ponta. Kurrën e kurrës.”
Deklarata e PD vjen në një moment tensioni të lartë politik pas pezullimit të Belinda Ballukut nga GJKKO dhe përplasjes së hapur mes mazhorancës dhe SPAK.




