Tiranë, 4 gusht 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publike një letër që, sipas tij, përfaqëson një akt të paprecedent dhe të rrezikshëm ndaj integritetit të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit zgjedhor në Shqipëri.

Sipas Berishës, letra është dërguar nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, menjëherë pas publikimit të raportit paraprak të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 11 majit, dhe i drejtohet përfaqësuesve më të lartë të misionit ndërkombëtar të vëzhguesve. Në të, ministri shpreh “pritshmërinë që raportet të pasqyrojnë me saktësi realitetet e observuara” dhe ngre “shqetësime serioze” lidhur me përmbajtjen e paragrafit hyrës të deklaratës, i cilësuar si “thellësisht negativ dhe i pabalancuar”.

 

Berisha e cilëson këtë si një akt të pastër presioni dhe “banditizëm diplomatik”, duke akuzuar qeverinë për përpjekje për të ndikuar politikisht dhe institucionalisht raportimin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Letra e Hasanit është prova më e qartë e përpjekjeve të qeverisë Rama për të ndryshuar narrativën e një procesi që është i diskredituar dhe i korruptuar si asnjëherë më parë,” u shpreh Berisha gjatë një deklarate për mediat.

Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit përfaqësojnë “farsën më të shëmtuar zgjedhore në 32 vite”, duke përmendur përdorimin masiv të fondeve publike për qëllime elektorale, shkelje ligjore me prokurime dhe aktivitete shtetërore në prag të votimeve, armëzimin e patronazhistëve dhe manipulimin e votës së diasporës.

Berisha u ndal edhe te programi i licencimit për kultivimin e kanabisit, që sipas tij “është shtrirë në përmasa 140 herë më të mëdha sesa lejon ligji”, duke e cilësuar këtë si një tjetër instrument për blerjen e votës dhe për keqpërdorimin e shtetit në funksion të pushtetit elektoral.

Në fund të deklaratës, Berisha u shpreh se letra dërguar zonjës Farah Karimi (OSBE), ambasadorit Zannier (ODIHR), përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, është “një kërcënim i pastër dhe përpjekje për të korruptuar opinionin ndërkombëtar përmes presionit diplomatik”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu