Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar atë që e cilësoi si “një fakt tronditës”, duke deklaruar se Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar drejtpërdrejt hakerimin e sistemeve të SPAK, me qëllim marrjen dhe shpërndarjen e dokumenteve hetimore.

Në një deklaratë publike, Berisha tha se disponon dokumente nga dosja e hakerimit të SPAK, ku sipas tij, hakeruesit përmendin emrin e Edi Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar ndërhyrjen e paligjshme në sistemet e Prokurorisë së Posaçme.

“Sot, para jush dhe para shqiptarëve, paraqes dokumentin që dëshmon se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakerimin e SPAK-ut dhe dosjeve të tij”, deklaroi Berisha.

Sipas materialit të publikuar, më 12 shkurt 2025, në orën 21:17, shtetasi Arnold Rrokaj i ka dërguar Zambak Gjonit një foto që, sipas dokumentit, paraqet një faqe interneti nga e cila mund të aksesoheshin sistemet e SPAK. Pas kësaj, Rrokaj i ka dërguar disa mesazhe, ku në një prej tyre shprehet se do t’i shkruante Ramës, duke lënë të kuptohet se informacioni do t’i përcillej atij.

Në dokument thuhet se nga përmbajtja e komunikimeve “krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së dokumenteve te persona të tretë”

Berisha deklaroi gjithashtu se në vijim të këtyre komunikimeve, më 21 shkurt 2025, i hetuari Zambak Gjoni ka kërkuar informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi, duke ngritur dyshime se interesimi kishte të bënte me ekzistencën e një urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo me arsye të tjera penale.

Sipas materialit, Arnold Rrokaj shprehet se do ta verifikonte informacionin, duke shtuar se “nga këta që kam unë, s’e ka njeri”, çka sipas Berishës tregon se hakeruesit kishin të ndarë prokurorët dhe objektivat e ndërhyrjes në sistemet e drejtësisë

Kreu i PD e cilësoi këtë çështje si një nga skandalet më të rënda që, sipas tij, implikon drejtpërdrejt Kryeministrin dhe kërkoi hetim të plotë dhe të pavarur nga institucionet e drejtësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu