Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se protesta e paralajmëruar për të shtunën do të jetë ndryshe nga ato të mëparshmet, duke e cilësuar atë si “ditën e kryengritjes paqësore”.

Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se qytetarët presin me padurim të shprehin zemërimin dhe revoltën ndaj qeverisë, ndërsa theksoi se protesta do të jetë ndër më të fuqishmet që ka njohur vendi.

“E shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre ndaj hajdutëve. Do të jetë një kryengritje më e fuqishmja që ka njohur vendi. Nuk do të jetë e llojit të atyre që keni parë”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se opozita po kalon në një fazë të re organizimi, duke paralajmëruar “diversifikim të aksioneve dhe veprimtarive”.

“Tani kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj. Për të gjitha do të informoheni në përputhje me vendimet që do të merren. Por e shtuna është dita e triumfit të opozitës, e triumfit të shqiptarëve mbi hajdutët”, u shpreh ai.

Protesta e së shtunës pritet të zhvillohet në Tiranë, ndërsa situata politike mbetet e tensionuar mes opozitës dhe mazhorancës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu