Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët ka folur për protestën e paralajmëruar të opozitës më 12 mars, duke theksuar se qëllimi i saj është largimi i kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, Berisha u ndal edhe te orari i protestave, duke thënë se ato zhvillohen në mbrëmje për shkak të angazhimeve të qytetarëve gjatë ditës dhe për shkak të muajit të Ramazanit.

“Janë disa arsye që lidhen me punën, me ditën e punës, lidhen edhe me agjërimin. Pra përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për ta bërë pjesëmarrjen sa më të mundshme”, tha Berisha.

Ai shtoi se protesta është një sakrificë që sipas tij e bën agjërimin edhe më të pranueshëm.

“Duke e marrë agjërimin si sakrificë me qëllim që të pranohet nga i gjithëfuqishmi, edhe protesta është një sakrificë që e bën agjërimin edhe më të pranueshëm, edhe më fisnik, edhe më të bekuar nga i gjithëfuqishmi”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se protesta e 12 marsit është një protestë për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe jo për çështje të tjera politike.

“Sqaroj edhe njëherë që protesta e 12 marsit është protestë për dorëheqjen, largimin e Edi Ramës nga pushteti”, deklaroi ai.

Në fund të bashkëbisedimit, kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në atë që e quajti “kryengritje paqësore”, duke ftuar qytetarët nga e gjithë Shqipëria të marrin pjesë në protestë përpara Parlamentit.

“Ftoj çdo qytetar shqiptar, pavarësisht bindjeve, të bashkohemi në kryengritje paqësore dhe të qëndrueshme si rruga më e sigurt për largimin e Edi Ramës nga pushteti”, tha Berisha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu